
"Kombinati nën dritën e Diellit"
Pjesa e dytë
"Eksodi"
Pjesa e tretë
"Vrapim pas ëndrrës"
shkruar nga Arjan A. Bejko
Ky është vetëm fillimi i një Romani për Kombinatin, për këtë lagje që vlonte nga jeta dhe gjallëria me dëshirën modeste për të zënë një vënd, sado të vogël, në historinë e Shqipërisë.
Opinioni publik është si një qen i lidhur në diell tek një shtyllë,
i cili po ngordh nga etja. Kur ti shkon t’a zgjidhësh e t’i japësh
ujë, ai të kafshon. Kjo është një shprehje e Sokratit.
Opinioni publik ështësi një kone e vogël bishtpërdredhur. Po i fute
një shqelm prapa ikën me bisht ndër shlalë, po e përkëdhele per ta
marrë me të mirë ai të turret si të ish luan dhe të leh nga pas pa
pushim. Ai qetësohet vetëm me shqelmin prapa. Kjo eshte nje shprehje
e autorit.
Në udhëkryqin më të madh të historisë botrore të quajtur Ballkan, hodhi dikur hapat e tij fëminor e të pasigurtë qytetrimi europian. Në këto troje plot male të ashpër, lumenj të rrëmbyer e pyje të magjepsur nisi fluturimin e saj nga errësira drejt dritës Kukuvajka e Pallas Atenës. Ky gadishull mban mbi tokë e nën tokë më shumë legjendë e histori se çdo skaj tjetër i botës. Enea, Akili, Eskili, Herodoti, Helena e Spartës, Straboni, Anakreonti, Skënderbeu i Madh, Nënë Tereza, Gjeniu Migjeni, Pirro i Epirit, orakulli i Dodonës, fatthënësja e Delfit Pythia, Aleksandri i Maqedonisë, Aristoteli e Platoni janë vetëm një pjesë e vogël e pafundsisë së universit historiografik të Ballkanit. Për fat të keq historia e Ballkanit nuk është e mbuluar vetëm me lavdi e shkëlqim. Popujt që jetuan dikur e ato që jetojnë ende atje janë përpjekur me armiq të shumtë, e ca më tepër me njëri tjetrin, deri në pragun e vitit 2000. Duket sikur mijvjeçari i tretë ka sjellë me vehte paqe e stabilitet, por në mënyrë të heshtur apo edhe të hapur ka ende individë e grupime, që akumulojnë vrer nacionalist për të helmuar marëdhëniet normale ndërballkanike.
Midis popujve të përçarë të Ballkanit jeton edhe një popull i vogël me origjinë të stërlashtë parahomeriane, i cili ka mundur mrekullisht të mbijetojë në Ballkanin e egër, në vëndlindjen e tragjedisë e komedisë, politikës e diplomacisë, ku luftra të përgjakshme, labirinthe intrigash e gjueti shtrigash vendosnin për fate shtetesh e individësh, e ku këtij populli i ish rezervuar roli i vështirë i topit të futbollit me të cilin luanin gjigantët e pamëshirshëm historibërës . Ai mbijetoi pikërisht atje ku Pika e Pamëshirshme e Shiut të Kohës thërmoi mbretëri e perandori famëmëdha apo fatkeqe; atje ku popujt pa perspektivë, më të zhvilluar se ata që i sulmonin, mund të zgjidhnin midis shfarosjes dhe asimilimit të plotë. Sot, midis pluhurnajës e mykurishteve të lavdisë së perandorive të perënduara, jeton e ndërton, shpesh edhe pa leje, ky popull i vogël, shumë i përfolur e i përgojuar, por pak ose aspak i njohur, rrallë i ndihmuar e shpesh i shfrytëzuar, i mohuar, i robëruar, i tradhëtuar, i nënvlerësuar, i nëpërkëmbur e i zhgënjyer, i cili për çudi ka mbetur optimist e i duruar, i përkundur nga shpresa e ëmbël për një të ardhme në familjen e madhe evropiane, të cilës gjeografikisht i takon prej mëse 3000 vjetësh.
Mbas leximit të këtyre rreshtave, ata që kullosin në livadhet e historisë ( si konsumatorë të babëzitur apo si vizitorë të paanshëm), në ato livadhe të tejmpleksura ku rriten lloj lloj lulesh e gjarpërojnë lloj lloj barërash të këqia, nuk e kanë aspak të vështirë të zbulojnë se në përshkrimin e mësiperm bëhet fjalë për popullin e urtë, mikpritës ( shpesh deri në marrëzi) e mirqëniedashës shqiptar. Në rast se popujve të tjerë të Ballkanit për të mbijetuar u është dashur të hanë hekurin me dhëmbë, ose si thuhet në shqip të hanë dynjanë, populli i urtë e i duruar shqiptar zgjodhi një rrugë tjetër. Si popull me qytetërim të lashtë ai nuk e shihte të udhës të kafshonte dynjanë për efekt mbijetese.
Ky popull me humor e kulturdashës, krijues në rrugën e tij të përshtatjes zgjodhi një strategji origjinale mbijetese, për efektshmërinë e së cilës vetë koha do të dilte si dëshmitare.
In nuce (d.m.th.pak lëvozhgë e shumë thelb ose shkurt e përmbledhur ) mund të thuhet se populli shqiptar e ka çare rrugën e historisë me Rripin e Thanasit në brez.
Për ata që nuk njohin as Thanasin e as rripin e tij ( ndoshta mund të ketë edhe të tillë) po bëjmë një sqarim të shkurtër.
Thanasi është një personazh interesant i një tragjikomedie greke te mijvjeçarit të kaluar me titull " Thanas shtrëngo rripin" Ky grek trim, për të shtypur demostratat e bukës që organizonin zorrët nën drejtimin e shokut Stomak, shtërngonte rripin e mezit aq fort sa që stomaku i zvogëluar, duke marrë fryme me vështirësi, jepte shenjë për tërheqje. Kështu arrinte i pavdekshmi Thanas të shuante demostratat zorraxhije para se ato të ndizeshin mirë. Këtë taktikë ka ndjekur populli shqiptar që në lashtësi duke u bëre burim frymëzimi për Thanasin apo edhe për ballkanas të tjerë të varfër.
Thanasi është thjesht një kalorës i mirëfilltë i rripit të shtërnguar por jo shpikësi i tij. Rripi i Thanasit i shndërruar në term përgjithësues ka më tepë kuptim alegorik si p.sh.Filli i Ariadnës, Simitja e Xhaferrit, shpata e Demokleut apo Mustaqet Çelos.
Në rast se historianët grekë do të ngulin këmbë se rripi i Thanasit është një element folklorik helen nuk duhet të habitemi. Po të nisemi nga fama e rripit kjo është mëse e natyrshme. Një rrip me famë është gjithmonë i vlersuar e i mbivlersuar. Si në bote ashtu edhe në Ballkan gjithmonë ka patur e do të ketë grindje rripash për vlersimin e rripave.
Për legjitimitetin e legjendës se murimit pretendojnë shumë vende, si brenda ashtu edhe jashtë Ballkanit. Dikush mund të thotë: Pse të grindemi me fqinjët për një legjendë? Le ta marrë kush të dojë vetëm të bijen rehat. Ne kemi legjenda të panumërta akoma më rrëqethëse si p.sh. Legjenda e Misrit, Legjenda e Luftës së Klasave, Legjenda e Grupeve Armiqsore, Besa e Ago Ymerit, Kostandini e Doruntina, Legjenda e Mujit me zanat, Legjenda e Pluralizmit, legjenda e Sistemit të Piramidave pa Gurë ku bajlozë, si Kamberi, Vehbiu e Xhaferri, apo bajloze si Sudja e Silva kërcënonin egzistencën e kursimtarëve, e shumë e shume shumë legjenda e gojdhana të tjera. Legjenda e Piramidave mund të quhet Legjenda e Parave të Pastra. Duket qartë se qielli shqiptar është aq i pasur në legjenda sa edhe nëntoka e lindjes së mesme në naftë.Shqiptarët kanë mundësi të falin ndonjë legjendë pa e varfëruar aspak folklorin e tyre të pashterrur. Por problemi nuk është aq i thjeshtë. Ti si zemërgjërë u fal fqinjve sot një legjendë, për shkak të fqinjësië së mirë apo interesave strategjiko-politike. Mirë po kjo çështje nuk mbaron me kaq. Në Ballkan legjendat tirren aq hollë me një punë artistike saqë duken si histori e mirëfilltë. Nesër të trokasin fqinjët në derë dhe këkojnë të lërojnë si t’u a ketë qejfi në arat e historisë tënde. Ata të kërkojnë t’u falësh Skënderbeun, Nënë Terezën, Vorio Epirin, Migjenin, Sami Frashërin, tokat e Çamërisë e çdo gjë tjetër që shohin në ëndërr. Ballkanasi është në veçanti i prirur të shohë ëndrra me syhapur ose si thotë një fjalë e urtë rrugësh, të fluturojë me presh. Prandaj shqiptarët duhet t’a lënë preshin atyre që e preferojnë e të shtërngojnë fort rripin simbolik si një relikë të historisë plot vuajtje e përpjekje. Tjetër është puna e romakëve. Ata e kane çare rrugën e historisë me shpatë në dorë.
Për të qënë të hapur e të sinqertë deri në fund duhet të pranojmë se shqiptarët nuk e kanë shtërnguar mezin vetëm me rrip. Edhe i uritur populli shqiptar nuk ka hequr dorë nga shijet e preferencat individuale. Rëndësi kishte që materiali të ish i fortë, elastik e mundësisht edhe estetik. Stomaku duhej shtërnguar por jo torturuar. Në fund të fundit stomaku qe i tyre dhe punonte për ta. Mjetet kryesore të përdorura për shtërngim kanë qënë : ushkuri, litari i kërpit, brezi i leshit, spangua e lirit, telat e telefonit ( më tepër në fshatra të thella), kaishi i meshinit, freri i kalit ( me radhë, her i zoti e her kali), rripi ushtarak me tokëz apo rripat e transmisionit e ndonjeher nga e keqja e nevoja edhe zinxhiri i qenit (prap me radhë). Mund të ketë patur tek tuk edhe ndonje shqiptar që e ka shtërnguar mesin me rrip grek (Turp të ketë!), këtë s’kemi arsye t’a mohojmë, por kjo nuk provon kurrsesi tezën greke të origjinës së rripshtërngimit. As fakti që në Greqi ka më shumë rripa se në Shqipëri nuk është ndonjë argument i fortë që ndihmon për sqarimin e çështjes. Por edhe në se stërnipi i atij shqiptari, që shpiku metodën e rripshtërngimit, ka emigruar në Greqi dhe atje për efekt leje qëndrimi ka ndërruar emrin nga Bardhil në Vasil kjo prapë nuk i legjitimon pretendimet e grekëve. Kjo eshtë e ngjashme me historinë e Hanibalit të Kartagjenës, i cili për t’u fshehur nga romakët, që e ndiqnin këmba këmbës shkoi të fshihej në mallet e Greqisë. Atje morri emrin Harallamb dhe mendoi se shpëtoi. Por romakët e gjetën, sepse kishin vënë një shumë të madhe për informacione që ndihmonin në kapjen e tij. Ta dinin romakët se informantët në Ballkan i gjen edhe falas!
Kur e zunë Hanibalin e ngratë, ai thoshte me një greqishte të çalë. Una jami Harrallambi, qitetari greka. Po romakët, e akoma më mirë grekët, e fare mirë greku që e kish kallzuar, e dinin me siguri që prapa Harallambit fshihej Hanibali, ashtu si shpeshherë prapa kalit fshihet Paskali. Ata e morrën grekun nga halli dhe e detyruan të pijë një kupë helm, si e kish pirë dikur Sokrati filozof.
Le të vazhdojmë më tej me odisenë e rripit! Që të jemi të paanshëm na duhet të pranojmë se rripi i Thanasit është grek, për faktin e thjeshtë se pronari i rripit ishte grek, por simbolika e rripit që ka të bëjë thjesht me proçesin e rripshtërngimit u takon shqipëtarve. Kjo është si me tokat e Çamërisë që ligjërisht e konkretisht u takojnë çamëve si pronarë të tyre, por simbolikisht u takojnë grekërve me që ndodhen brenda kufirit të Greqisë.
Më mire të përqëndrohemi vetëm te rripi që mos të duket sikur bëjmë politikë, gjë që u përket politikanëve largpamës e trima që nuk i u bën syri tërr kur i a hanë fjalen e dhënë zgjedhësve. Justifikimi është shumë i thjeshtë. Ata nuk po i mbajnë dot fjalën shoku shokut. Çfar presin zgjedhësit?. Nuk e dinë ata fjalën e urtë: të morra votën, të lërofsha kalin?
Ndokush me të drejtë mund të shtrojë pyetjen se cila qe arësyeja që shumicës së shqiptarve në shekuj nuk i u nda rripi i Thanasit?
Shpjegimi besoj se është sa i thjeshtë aq edhe banal. Dihet nga të gjithë që mikpritja e shqiptarit ( shpesh duke lënë edhe fëmijët barkzbrazur, për t’i a shtruar mikut) është shndërruar në legjendë.
Me një “qëndresë” e “ heroizëm “ të pashembëllt ( përjashto Skënderbeun) ushqente populli bujar shqiptar mbretëritë e perandoritë pushtuese me shpresë se ato dikur të velura e të tejngopura do të çoheshin vullnetarisht nga tryeza. Si shpërblim për bujarine e durimin e tij populli ynë mbeti ashtu si thotë në vjershat e tij shqiptari i madh Fan Noli :
Pranë sofrës i pa ngrënë
Bujarët e fisnikët shqiptarë kishin zënë mend nga “kokfortësia” e Skënderbeut, i cili turqit i ftonte në beteja e jo në sofër.
Të varfër janë shqiptarët; por të ndershëm, mikpritës e krenar -,mburreshin të vetquajturit fisnikë shqiptarë; e shtroheshin me “mikun” e huaj në sofër si të fundit mes të barabartëve. Ta nderojmë « mikun »-çirreshin.
Për popullin e thjeshtë nuk mbetej gjë, pa llogaritur lugën e zbrazur (shpesh prej druri) që të varfrit e mbanin në brez bashkëngjitur me rripin qetësues. Luga e zbrazur, kolona vertebrale e shqiptarit. Këtu e ka origjinën edhe fjala lugat, d.m.th. një njeri kockë e lëkurë me një lugë druri në brez, apo dhe fjala malukat,d.m.th. ai që ma lug kot.
Por ky nuk ishte problemi i vetëm. Populli shqiptar mbeti gjithashtu:
Pranë dijes i pa nxënë
Pikërisht ai popull, që ishin aq pranë zjarrit të lashtë e të përjetshëm që ndezi Prometheu, i cili edhe sot e kësaj dite ngroh gjithë botën e qytetëruar e me siguri do të ngrohë edhe të ardhmen(Këtu bëhet fjalë vetëm për ata që kanë të ardhme). Me të drejtë mund të shtrohet pyetja. Pse fluturoi Kukuvajka e Atenës direkt e në Romë pa u ndalur në Iliri? Pse nuk erdhi vetë Prometheu, me një traste leshi nën gunë, mbushur me eshkë e gur stralli, por erdhi dikush tjetër me trastë leshi mbushur me baltë? Mos e trembën të gjorin shqiponjat e shumta që patrullonin e fluturonin mbi qiellin shqiptar? Apo kishte frikë(perënditë nuk do të ishin perëndi po të mos e njihnin frikën) se mos ngecte në baltën e hedhur mbi rrugën e së ardhmes së shqiptarëve?
Ndoshta ai nuk erdhi sepse me largpamësinë e tij si perëndi e dinte se në Shqiperi do të lindnin dikur të paktën dy Promethenj, njëri politikan me eksperiencën e burgut, i cili thërriste brënda qelisë : Lironi Prometheun! ndërsa tjetri shkrimtar në burgun e mendimit i cili thoshte: E pse të sakrifikohesha unë?.
Ndoshta ata nuk i njeh kush si Promethenj, por rëndësi ka fakti që ata e mbajnë veten për të tillë.
Për shkakun që nuk erdhi Prometheu origjinal, por vetëm kopje të tij, mund të mund të jepen shpjegime nga më të ndryshmet. Gjithçka mbetet e mjegullt sepse paraardhësit e shqiptarëve nuk kanë mbajtur pothuaj fare shënime në të kaluarën. Ata i kanë lënë grekët e romakët të shkruajnë edhe për ta dhe sot shqiptarët habiten për çudirat e shkruara. Shqiptarët, si dikur ilirët, nuk shqetësohen për gjëra zbavitëse si mitologjia, historia apo histeria. Nqaqë nuk shihnin ndonjë dallim të madh midis legjendës e historisë, ata kujtonin se historia shkruhej vetëm për zbavitje. Ata nuk besonin se këto përalla të bukura do të ishin ndonjëherë të besueshme. Ata i besojnë shprehjes: Dielli nuk mbulohet me shoshë. Kështu ata ndjekin këshillën e urtë të Alexandre Dumas:
Prisni e shpresoni
Ata jane të bindur që historia e vërtetë do të shkruhet pa përalla e sofizma vetëm atëher kur të japë shpirt psikopatriotizmi dhe nacionalizmi paranojak. Tërë llumi i trashë historik që turbullon ende oqeanin e mardhënieve njerzore do të precipitojë pashmangësisht në thellësitë e harresës dhe brezat e ardhshëm do të shohin më qartë.
***
Në këtë parajsë të lakmuar plot bukuri të rallë natyrore ( të cilën forca të errta, të jashtme e të brëndëshme, janë përpjekur t’a shndërrojnë në ferr), të lagur nga dy dete pa anë e të rrethuar me plot male të lartë e vargmale të gjatë, të cilët e mbrojnë nga erërat e ftohta e mjegullat e turbullta të Lindjes, lindi dhe u rrit Dielli, një shqiptar optimist i cili, si shumica e bashkatdhetarëve të tij, besonte në të ardhmen e vëndit. Ai nuk lindi as me këmishë as me rrip në brez d.m.th. ai nuk bënte pjesë as te të privilegjuarit e as te rripshtërnguarit. Dielli e pa për her të parë dritën e diellit në një lagje punëtorësh në periferi të kryeqytetit shqiptar. Kjo lagje thuhet se më parë kish qënë e mbushur me moçale e shkurre ku gjarpërinjtë e gjuetarët konkuronin me njëri tjetrin për gjahun. Gjithçka ndryshoi kur Shqipërinë e futën në dorë komunistët me në krye shokun Shpat Tarasi. Ata i thanë moçalet (për të tharë moçale e shpirtra ishin të vetmit ) dhe i dëbuan gjarpërinjtë e gjahtarët. Në vend të tyre komunistët sollën aty vëllezrit e tyre të idealit (ideal ziu ) nga Bashkimi i Madh Sovjetik për të ndërtuar një kombinat tekstili. Ky kombinat u pagëzua in status nascendi (ende pa u lindur ) me emrin e Stalinit të Kuq. Por Stalini nuk do të jetonte më shumë se 2 vjet, për fatin e madh të shumë rusëve të persekutuar, pas inagurimit të kombinatit që do të mbante emrin e tij për dekada të tëra. Ai nuk erdhi personalisht të priste shiritin e inagurimit. Ai dotë vinte pas vdekjes së tij me piksynimin për të mos u shkulur më nga Kombinati, jo si fantazmë por në formën e një monumenti të bronxtë, që komunistët e Tarasit ja ngulën punëtorëve para portës së kombinatit, për t’a patur gjithmonë pas qafe kur ata shkonin në punë.
Stalini i ngurtë prej bronxi e gipsi ishte më i qeshur se Stalini prej kockash e mishi. Nuk thonë kot që arti e letërsia i japin shpirt edhe gurëve. Saxa locuuntur (gurët flasin) thoshin romakët. Prova më bindëse që romakët dinin se ç’thonin ishte Stalini i gurtë, i cili dukej se ish gdhëndur e skalitur në Shqipëri, për të gdhëndur të “pa gdhëndurit”. Dihet se me një gur mund të vrasësh e shumta dy zogj. Por me një gur si Stalini ndryshon puna. Me të mund t’i vrisje akoma pa nisur këngën tërë ata zogj, që guxonin të këndonin pa liçencë.
Ashtu si sfinksi i gurte në Gizeh, i cili me hijen e tij ruante piramidat e famshme të faraonëve nga grabitësit e plaçkitësit e varreve, ashtu edhe Stalini i bronxtë vigjëlonte në hyrje të portës së kombinatit, për të mos u dhënë mundësi disa punëtorëve apo edhe drejtuesve të pandërgjegjshëm të përvetsonin ndonjë napë, ndonjë lëmsh të vogël leshi, ndonjë basmë me ngjyra e plot sende të tjera me të cilat ndihmonin sadopak rrogat qesharake që merrnin.
Dora e shtrirë e Stalinit simbolikisht tregonte të ardhmen. Por kombinatasit kishin zbuluar se mbas asaj dore të ashpër guri fshiheshin shumë enigma e hije gjysëmtëvërtetash. Kodi i Stalinit dukej më i komplikuar se Kodi i da Vinci-t. Armiku i klasës thoshte se jo rastësisht dora e hekurt tregonte për nga spitali i lagjes dhe varrezat e Sharrës. Qejfllinjtë thoshin se dora gjeorgjiane tregonte për nga Pallati i Vajzave, atje ku Penelopat beqare natën thurnin pëlhuren e ëndrrave për martesë, ndërsa ditën pëlhurën e pambuktë mes kakofonisë infernale të tezgjahut pluhurmadh, që për nga zhurmat e ajri mbytës mund të konkuronte denjësisht me guroren e malit të Dajtit. Disa fshatarë nga Sharra që zbarkonin shpesh në Kombinat për të luajtur bixhoz ose për të shitur fruta e perime të vjedhura në arat e kooperativës, thoshin se dora e Baba Stalinit tregonte për nga shtëpia e Haxhi Qamil Xhametës, atij sherrxhiut e halabakut të famshëm që edhe i vdekur do t’u fuste tmerrin historianëve. Në vargjet e një kënge të paliçencuar thuhej:
Haxhi Qamili dhe i vdekur
I tmerroj armiqt me mjekër.
Kjo këngë këndohej nga Cim Xhameta (me siguri nga fisi i Haxhiut) e Besim Muça kur bëheshin tapë, pasi kishin humbur paratë në bixhoz e trutë në gotë. Këto vargje qenë një imitim i dobët i vargjeve të Gavril Darës te “Kënga e sprapsme e Balës” ku thuhet:
Pal Golemi dhe i vdekur
I tmerroj armiqt me sy.
E vërteta ishte se pas mjekrës së Haxhi Qamilit fshihej ajo buzëqeshja me sheqer e me hurma e Tarasit, ajo buzëqeshje prej sfinksi që do të depërtontekudo , duke tejshpuar edhe mburojën e dyshimit të fshatarëve më të rafinuar. Partia e Tarasit e bëri muze shpinë e Haxhiut. Kjo shtëpi, ashtu si Stalini i bronxtë. rrezatonte një frikë të paspjegueshme mistike për të gjithë ish-pronarët që ëndërronin më kot, me kokën mbështetur mbi jastëkët ku kishin fshehur tapitë e vjetra, se ndonjë ditë ,pas rënies së komunizmit, do të rimerrnin tokën e grabitur. Kjo grabitje njihet në histori si reforma agrare e më pas kolektivizimi.
Supozimet mbi rolin dhe funksionin e dorës së hekurt të Stalinit në Kombinat shkonin edhe më tej. Disa banorë të rruges “Ali Kelmendi” e shfrytëzonin dorën e Stalinit për qëllime personale. Iliri, një shok klase i Diellit, i thoshte ndonjë vizitori të mundshëm se Stalini ishte ngulur enkas në sheshin e vogël para hyrjes kryesore të kombinatit të tekstilit, vetëm e vetëm për të treguar se ku banonte ai. Shkoni në qendër të kombinatit, i thoshte ai njerzve të farefisit që vinin nga larg. Rrini poshtë dorës së Stalinit e ndiqni drejtimin e saj. Pas 50 m kthehuni djathtas e do të gjeni shtëpinë time.
Bashkë me kombinatin e tekstilit dhe monumentin multifunksional të Stalinit u ndërtuan edhe banesat e para të lagjes ku do të jetonin punëtorët e drejtuesit e kombinatit. Aty këtu, brënda territorit të kësaj lagje ( në atë pjesë të vogël që nuk kish qënë kënetë), kishin mbetur ca kazerna italiane, që me siguri kishin qënë në pjesën më të madhe stalla e depo. Populli i quante ato gazerma dhe banorët e saj gazermaxhi.
Ashtu si dikur Amerika që tërhiqte njerëz nga e gjithë bota, të cilët kërkonin një fat më të mirë në një botë të re, ashtu tërhiqte edhe kjo lagje e re njerëz nga e gjithë Shqipëria, pothuajse nga të gjitha zonat e krahinat që shtrihen midis Rrapit të Mashkullorës e Shpellës së Dragobisë, të cilët shpresonin për një të ardhme më të sigurtë që do t’u jepte mundësinë ta lironin paksa rripin deri në flakjen e plotë të tij. Ata vinin nga Vlora, Përmeti, Gjirokastra e Korça, ata vinin nga Elbasani e Durrësi, nga Shkodra e Lezha, Tropoja e Kukësi nga fshatrart e thella e katundet e humbura, nga qytetet e vogla e të mëdha, pa harruar edhe krahinën e Myzeqesë si dhe zonat ku banonin minoritarët grekë . Burra të sapomartuar, të rinj beqarë, intelektualë të shkolluar jashtë ( kryesisht në vendet e kampit socialist), komunistë pa skrupull, materialistë pa kapital, “idealistë” pa ideal, mendimtarë pa mendim, komunistë pa tru, intelektualë pa intelekt, kaleca vullnetarë, spiunë me dipllomë,xhepistë, xhepshpuar, ushtarakë, ahengçij qe e quanin vehten muzikantë, vajza pa familje, gra me burra e fëmijë, gra pa burra e me fëmijë, vajza beqare intelektuale ose analfabete, ruajtës të rendit, prishës të rendit, tregtarë e shitësa me kuç e me maç, një përzjerje qe nuk e ka pasur as arka e Noes.
Të gjithë këta nën thirjen e instiktit, nën thirrjen e partisë së punës( në të vërtetë partia e dhunës ) apo edhe nga etja për aventura u mblodhen së bashku rreth bustit të Stalinit e formuan Miniamerikën e quajtur Kombinat.
Babai i Diellit, një gjirokastrit nga lagjia e vjetër e Dunavatit, erdhi në lagjen e re të Kombinatitnë vitin 1955, së bashku me gruan e një vajzë të vogël., që quhej Rezarta. Nga emrat që zgjidhte kjo familje për fëmijët kuptohet se ata e donin dritën e ngrohtësinë. Dielli nuk kish lindur akoma. Ai lindi më 1956, 5 vjet pas inagurimit të kombinatit, në të cilin babai i tij kish filluar punë si mekanik. Ishte pikërisht ajo periudhë e turbullt historike, e cila mund të konsiderohet si dyndja e dytë e sllavëve në Ballkan. Me të drejtë Dritëroi e quan Ballkanin një amfiteatër tragjik, skena rrotulluese e të cilit ishin kurrizet e shqiptarëve. Ende pa e marrë mirë vehten nga sundimmi i gjatë otoman, luftrat botrore e lokale, si dhe nga intrigat e panumërta, Ballkanit i u desh asajkohe të përplasej me Kovaçanën e Kuqe Sovjetike që vinte për të farkëtuar e gdhendur njeriun e ri ( homos novus ), por në vend të tij, me ose padashje, ajo formoi disa njerëz të paparë deri në atë kohë. Njeriu i ri me tipare të theksuara komuniste, përjashto komunistët e thjeshtë se ata ishin gjithmonë vetëm sa për inventar, kur merrte pushtet e privilegje shndërrohej në një lloj të veçantë njerzor ( homo sine scrupulis d.m.th. njeriu pa skrupull ). Prej këtij trungu dilnin shumë degë që përbënin nënllojet e njeriut të ri. Në veri të Shqipërisë binte në sy homo magniloquus( njeriu mburravec), në Shqipërinë e mesme mbizotronte homo libidinosus ( njeriu qejfli) ndërsa në jug po përhapej si bar i keq homo gallus maritimus( njeriu gjeldet) që dinte vetëm të fryhej. Shpesh këto difekte gjenetike përzjeheshin me njëri tjetrin me krushqira dhe krijonin nënlloje të tjera edhe më të përçudnuara si homo curvus( njeriu dredharak) homo corruptus( njeriu i korruptuar),
homo servilis ( njeriu me shpirt skllavi) e shumë homo të tjerë. Nëse Niçe( origjinal Nietzsche) kërkonte të vinte mbinjeriu(superman) për të pastruar botën, në këmbë të tij u shfaq nënnjeriu ( underman ) me speciet e tija të panumërta. Këta njerëz nuk betoheshin më për zotin por për ideal të partisë d. m. th. për një koncept më abstrakt se vetë zoti. Vetëm populli grek i shpëtoi farkëtimit sovjetik, por për të arritur këtë u desh të derdhej gjaku lumë. Popujt e tjerë të Ballkanit, që i kishin rrënjët në malet e Uralit dhe që ishin ngulur aty rreth shekujve VI-VIII me dyndjen e parë sllave, nuk e kishin problem të hynin vullnetarisht në kovaçanë dhe të vetfarkëtoheshin. Ata kishin shumë gjëra të përbashkëta me perandorinë e re bolshevike, të dominuar nga rusët. Gjuha ishte e ngjashme, feja e njëjtë( përveç boshnjakëve), alfabeti i përbashkët cirilik, psikologjia, filozofia, letërsia, muzika e tradita ishin të përafërta. Po ç’ lidhje kishin shqiptarët me Bashkimin Sovjetik? Ata ishin edhe më larg se grekët me këtë sistem, që fabrikonte njeriun e ri, sepse nuk bënin pjesë as në familjen e madhe ortodokse. Bashkimi i madh sovjetik nuk shqetësohej fare se ç’mendonte Shqipëria e vogël. Ai kish si qëllim të bëhej padroni i ri i Ballkanit dhe dukej se ish shumë pranë realizimit të këtij qëllimi. Si një dragua që t’a imponon respektin duke djegur e përcëlluar me flakën e kuqe të revolucionit, Bashkimi Sovjetik gëlltiti mbeturinat e gjysëmhënës turke në Shqipëri, i përtypi e i ripërtypi ato mirë e mirë dhe formoi me to një hënë të dhëmbëzuar, të cilës pasi i vuri një bisht e quajti drapër. Këtij drapëri të shtrembër( që simbolizonte fshatarsinë kooperativiste), që të mos përdridhej sipas qejfit, i vuri mbi krye si roje e mbikqyrës një çekan të madh( klasën puntore ).
Duke lënë mënjanë Greqinë, drapëri e çekani kërcenin në aleancë të imponuar mbi tokën e përvëluar të Ballkanit. Kjo dyndje e re sllave qe më e rrezikshme se e para sepse ajo nuk quhej me emrin e duhur kolonizim politik, por vllazërim për hir të internacionalizmit proletar. Ishte ky ai roli i madh që Dostojevski i parashikoi Rusisë në historinë botrore? Me siguri jo. Gjeniu Dostojevski nuk do të përkrahte kurrë një „vllazërim“ me çekan në kokë. Për hir të këtij „vllazërimi“ rusët i morrën shqiptarëve Kosoven peng dhe ju a falën serbëve, ashtu si dikur sulltan Murati i morri Gjon Kastriotit djemt e tij. I pari që i përkrah dhe i fundit që i kupton lojrat politike është si gjithmonë populli. Historinë e bëjnë individët, ndërsa populli rend pas tyre, me ose pa dëshirë. Politikë të drejtë, në sytë e popullit, bën gjithnjë ajo qeveri që i siguron atij bukën e përditëshme.
Kush nuk ka bukë e ka të vështirë të ruaj burrërinë e le pastaj të ketë mendim të pavarur. Kujtojmë Migjenin te Legjenda e Misrit kur tregon për malsorin: E përpara depos së misrit bjerr cilsin' karakteristiketë vetën, dhe bahet frigacak. Bahet servil, frigacak, pse, - mendon ai - nj'ashtu e don ligji, nëpunsi; përndryshe s'ka misër. " Si urdhnon zotni" përsëritet sa e sa herë në mënyrë qesharake, me t’u marrun zani, me gjeste majmuni, vetëm e vetëm mos me zgjue mninë e engjujve që ndjanë misër.
Prandaj populli shqiptar nuk shihte ndonjë të keqe në miqësinë( në rast se ka vënd të përdoret kjo fjalë në politikë e tregti) me Bashkimin Sovjetik. Kombinati i tekstilit kish hapur fronte pune dhe i siguronte kafshatën mijra puntorëve. Kishe qejf t’i shihje kombinatasit në ditët e rrogave tek dilnin nga dyqanet ushqimore me torba të ngarkuara plot me miell, fasule, oriz, makarona, sheqer, vaj ulliri, vaj kikiriku( më vonë lule dielli ), kafe, sapun, kripë si kokrra breshëri etj. Gjithashtu kishe qejf t’i shihje kombinativët tek marrshonin drejt furrave të pjekjeve me tepsi me byreqe, qingja e pula të pjekura, ëmbëlsira e plot fantazi të tjera si speca të mbushura, imam bajalldi, qumështor e karkanaqe.
Dyqanet kryesore ishin gastranomi( një kompleks me dyqane ushqimore, bulmetore, buke,pastiçeri e gjelltore), ushqimorja e Nuredinit e më vonë vetshërbimi( një model fillestar i supermarketeve të sotme), i cili nuk pati sukses. Vetshërbimi mbeti i tillë për pak muaj, për t’u shndërruar në një gastranom ( shtrembërim i fjalës gastronomi ) të dytë. Në gastranomin që ishte poshtë Pallatit të Vajzave i njohur ishte çifti i shitësve të bulmetit Shefqet e Qefsere, ndersa te bulmetorja e vetshërbimit ishin të njohura motrat Athina dhe Evanthi që megjithëse nuk ishin binjake ngjanin aq shumë, sa klientët i ngatërronin shpesh me njëra tjetrën.
Entuziazmi i tepruar, i cili pasi tejzgjatej deri në pafundësi tentonte në indiferentizëm, me të cilin populliu shqiptar priste ardhjen e të huajve në vëndin e tij i kishte rrënjet ne të kaluarën e tij të hidhur (kujtoni rripin e Thanasit). Duke qenë një vënd relativisht i vogël në krahasin me vëndet fqinje, për të mbijetuar i duhej patjetër të bënte aleanca të diktuara, të dyshimta e të padëshëruara. Kjo nguliti në kokat e shqiptarëve mentalitetin e legjionerit. Shërbeji më të fortit sepse ai ka mundësinë të të paguaj. Me një fjalë, shërbe të shpërblehesh.
Kjo pati edhe një pasojë tjetër. Në psikologjinë e shqiptarit u krijua bindja se mirqënia e lumturia mund të arriheshin si individ e jo si kolektiv. Suksese të panumërta të ilirëve në perandorinë romake, që u bënë disa herë edhe perandorë të Romës,e më vonë sukseset e shqiptarëve në perandorinë otomane, që u bënë pashallarë, vezirë e kryevezirë, i bindën ata se më mirë përparonin pa njëri tjetrin se me njëri tjetrin. Duke mos patur për shekuj me rradhe një shtet të pavarur, veç atij që krijoi Skënderbeu, nuk kish më rëndësi se kush drejtonte. Mos të kishin qene rilindasit,që shkrinë pasurinë e shpirtin e tyre për shënjtërimin e Shqipërisë, kushedi se ç’ drejtim do kish marrë fati i shqiptarve. Edhe Bektashi,babai i Diellit, e aprovonte në heshtje politikën e qeverisë Tarasi( Sikur të ishte kundër, kush do t’a pyeste? )dhe miqësinë e saj me kryekomunistët e botës. Ai jetonte në një nga ato godinat dykatshe të ndërtuara për personelin e kombinatit. Kjo godinë kishte sistem qëndror ngrohje me avull . Dy herë në javë kishte edhe uje të ngrohtë. Çdo apartament kish kalorifera, dush, një lavapjatë të madhe graniti si dhe një radio-altoparlant. Për kohën që bëhet fjalë, këto gjëra quheshin luks borgjez. Aq mbivlersoheshin këto godina sa njerëzit i quanin ato pallate. E vetmja mangësi ishte fakti që në apartamentin e vogël prej 2 dhomash e 1 kuzhinë bashkë me familjen e Diellit jetonte edhe një familje tjetër. Kështu çdo familjeje i takonte një dhome e tërë, një gjysëm kuzhine e një gjysëm banje pa penxhere( pa llogaritur gjysmën e koridorit e gjysmën e derës së hyrjes). Kjo nuk qe aq keq po të kishe parasysh që kish njerëz që jetonin në ndërtesa prej pupuliti. Kishte edhe fatdënuar që vegjëtonin në kasollet përdhese prej qerpiçi e katramaje (ish-kazernat italiane) me një çesëm të përbashkët e me ca kasolle druri, të vogla si kotece pulash, që shërbenin si nevojtore të përbashkëta. Vetëm një pjesë e vogël e familjeve kombinatase mund të quhej e privilegjuar, e kjo për faktin e thjeshtë se kishin nga një apartament më vete. Këto ishin familje intelektualësh, drejtuesish e funksionarësh shumica e të cilëve punonin në kombinatin e tekstilit ose disa familje punëtorësh që kishin mbi 5 fëmijë. Partia nuk donte të dilte si njerkë e keqe për nënat me shumë fëmijë. Mund të duket e pabesueshme, por Partia e Punës kish caktuar në atë kohë edhe Lekë fëmijësh, si në shtetet perëndimore. Kjo pagesë ekstra quhej kompensim rroge. Në gjuhën e punëtorëve kompensim rroge kishte një kuptim tjetër, kështu quhej përvetsimi i ndonjë cope beze apo lëmshi pambuku, të cilat të varfrit mundoheshin t’i shisnin „për të ndihmuar rrogën“ si thoshin ata. Domethënëse është shprehja që qarkullonte nën zë midis punëtorëve të pakënaqur: Këta, d.m.th. pushtetarët , bëjnë sikur na paguajnë e ne bëjmë sikur punojmë.
Megjithatë si do të ishin kushtet në të cilat jetonin e shpresonin kombinatasit, ata e konsideronin veten me fat. E rëndësishme për këta ardhanakë ishte që tashmë ata ishin de facto banorë të kryeqytetit. Kombinati nga ana administrative ishte lagje e Tiranës, por në nënvetëdijen e banorëve të tij, Kombinati ishte Kombinat ( ky toponim i ka mbetur edhe sot , kur kombinati i tekstilit është një rrënojë e Stalini është shkulur me rrënjë) e Tirana ishte Tiranë. Ndoshta ndikonte psikollogjikisht edhe largësia prej 6 km e kësaj lagje nga qëndra e Tiranës, sepse për të shkuar deri në qëndër duheshin 15-20 minuta me urbanin e linjës. Në të vërtetë Kombinati nuk kish pse t’a ndjente veten inferior. Ç’ kish Tirana më shumë? Edhe qendra e Tiranës, atje ku sot ngrihet monumenti i Skënderbeut, kish në ato vite një Stalin prej bronxi e jo me dorë të shtrirë si ai i Kombinatit. Stalini i qendrës së Tiranës, ashtu babaxhan me dorë në zemër, dukej si noj tironc që i thosh shokëve “njatjeta”.
Nëse midis Tiranës rridhte Lana, në mes të Kombinatit dergjej përroi i Arbanës. E vetmja gjë që kishte Tirana dhe që nuk e kish Kombinati ishte kopështi zoologjik, i cili në ato kohë amullie e rëmuje ndodhej jo shumë larg nga vendi ku sot ndodhet Kuvendi i Republikës së Shqipërisë. Ai parlament kafshësh të robëruara për të zbavitur njeriun, kurorën e evolucionit, icili perbehej nga nje ujk plak, nje ari dembel, ca shqiponja te rrjepura, nje riqerbull, nje dhelper jo dhe aq dinake ( deri sa kishte rene ne duart e njerezve) udhëhiqej nga majmun’ja Liza, e cila bëhej si e tërbuar kur dikush thërriste : Liza ka morra! Liza ka morra! Me atë vështrim të zgjuar, që nuk e gjen shpesh te parlamentarët e sotëm, ajo dukej sikur thoshte: Nxirrini jashtë këta mjeranë, që nuk rrespektojnë homologen e tyre.
Kombinatasit, që shquheshin për modesti nuk kishin tangarllëk*(kjo vjen nga fjala tangar, një tavolinë me një govatë qymyri në mes, ku burrat mbështetnin këmbët që t’u ngroheshin e kapardiseshin në muhabet, me një teka apo dopjo raki). Kur pyesnin pa të keq shoku shokun: Do dalim sot në Tiranë? ata nuk e kuptonin se pa dashje e shndërronin lagjen e tyre të dashur në një komponente të dorës së dytë në sytë e kryeqytetarëve të vërtetë.
Gabimi i tironcve denbabaden ishte se ata ushqeheshin me iluzione. Duke qenë Tirana kryeqytet ata besonin se ishin automatikisht kryeqytetarë. Kish edhe tiranas që ishin realistë dhe nuk piqnin qiqra në hell, po e ngulnin hellin aty ku duhej. Sipas një gojdhane, në kohën kur Tirana, më 11 shkurt 1920 u shpall kryeqytet i vëndit, një djalë i ri vraponte t’i japë sihariqin babait të tij:
O lale, o lale Tirona u bo kryeqytet. Plaku, në kundërshtim me namin që ju ka dalë pa të drejtë tironcve, të cilët i mbajnë për injorantë e dritshkurtër, ishte përgjigjur:
Lum Tirona e mjer tironcit mre lal! Ime do t’verdhojn tosqit ene malsort, nersa tironcit nuk do t’dinë ka t’ja majn’. Jabonxhit do t’xaptojn’ qenrën e ne masanejta do shtërnohena onash si indjont nëpër rezervate. Ne do t’ krijojm m’hallat tona me rrugica t’nushta që do t’lypin dill, si m’halla e Tabakve, m’hlla e durrsakve, m’halla e saraçve, m’halla e dibronve, m’halla e shebekve apo m’halla e qyqve, nersa tosqit e malsort do t’nrefen n’ rrugt e gjona që do nërtohen. Ato do t’drejtojnë pazaret e shtetit, nersa ne do t’lakatredhna pazarit vërdall. Mas vitit 2000 bo vaki e njitet noj tironc n’moj’ t’minores t’ qeveris.
Ne sot mund të gjykojmë se a ka patur të drejt ai plak i urtë e vizioner. Vetëm krijimin e Kombinatit nuk e parashikoi ai Nostradamus tiranas, të atij Kombinati që i shtohej kurorës periferike plot gjëmba e shkurre të Tiranës a thua se nuk mjaftonin Lapraka, Linza e Sauku.
Megjithatë mungesa e taktit dhe naiviteti i kombinatasve, që e çvlerësonin pa dashur lagjen e dashur, nuk e ndalnin dot zhvillimin e kësaj kolonie proletare që hidhte shtat nga dita në ditë.
Stalinit të bronxte para portës së kombinatit, i cili mund të konsiderohej si shënjtori mbrojtës apo djalli kërcënues i lagjes, iu u shtua edhe një statujë tjetër e bardhe graniti. Kjo qe statuja e famshme e tekstilistes, një farë Notre Dame de Coton (Shënmëria e Pambukut). Kjo statujë, me një furkë në njerën dorë e me një çikrik pambuku në tjetrën, ishte personifikimi i bukurisë shpirtrore, sepse si paraqitje i ngjante më shumë Katerinës së Gazermave, një gruaje të braktisur nga fati e nga burri, që ishte e rrethuar nga shumë halle e fëmijë.
Qarkullonin tre versione në lidhje me personin që ish gurëzuar te kjo statujë. Thuhej se si model kish shërbyer një tekstiliste nga Moska që quhej Ekaterina, shkurt Katja e me perkëdheli Katjusha. Në një variant tjetër thuhej se si model kish shërbyer shoqja Fahrije një tekstiliste e dalluar shqiptare e zeshkët dhe e hollë si hardhuckat veshjeekspozuese të pasarelave. Për Fahrijen dhe Ekaterinën e Moskës ( jo për Katerinën e mjerë të Gazermave ) kish një këngë:
Katjusha n’ Mosk’ e Fahrija n’Tiran’
Për socializëm në gar’ jan vu.
Varianti i tretë dhe i fundit pretendonte si model punëtoren e dalluar Feruze, për të cilën kish një këngë më vehte :
Në një lulishte në Kombinat,
një lule t’bukur zgjodha për fat.
Asht ma e bukur, se lule tjera,
gonxhe mes lulesh kur çel pranvera.
Nga dialekti gegërisht i këngëve le të kuptohet, se shqiptaret veriore jepnin tonin në muzike, ndërsa jugoret mbanin iso. Shumica e kompozitorëve të mëdhenj shqiptarë ishin shkodranë. Për politike e pushtet ndryshonte puna. Jugorët jepnin tonin, ndërsa verioret mbanin ison, ashtu si shoku Tangul(ai komunisti pa skruoull me fytyrë të pafajshme kleriku), pasardhësi i mëvonshem i shokut Taras. Shqipëra e mesme, si në mes që ishte, i binte dajres e hidhte valle, si ariu i Tajar Baçovës, andej nga frynte era, her me hir e her pa hir.
Me kalimin e kohes kombinati kishte edhe shkollat e tij, kopshte fëmijësh, spitalin e tij, një foto studio ( një godinë me dërrasa e lyer me një ngjyrë të kaltër, që ndodhej para pallatit Nr.40, por që dukej sikur ishte marrë nga kulisat e filmave me cowboys),një poligon qitjeje, dyqane, një fushe futbolli, posten e tij me vulen e Yzberishtit, një librari, një fushë drush, rajonin e policisë e qendrën e zjarrfikseve, një kino-klub me biblioteke e bilardo, një shkollë nate si dhe Mapon e famshme( një shkurtim për Magazina Popullore), e cila në atë kohë bashkëjetonte me një restorant, para të cilit, poshtë në lulishte, kishte një pistë vallzimi. Atje dëfrehej e kërcehej me muzike ruse e shqiptare. «Kazaçjok » dhe « Rjabina kudrjava » ishin për veshët e kombinatasve po aq të dashura sa dhe « Lemza » kënduar nga Vaçe Zela apo
« Bjer o shi »kënduar nga Gene Kelly shqiptar Besnik Taraneshi. « Lemza » ishte kënduar edhe nga Rita Vako por ajo u la në harresë sepse guxoi të vishte, si e para femër në atë kohë pantallona, duke bërë t’i vereshin mustaqet burrave « me namuz ». Atyre që s’kishin mustaqe u vareshin turinjtë një pëllëmbë. Edhe fëmijët( nuk thonë kot që fëmijët janë shpesh si majmuni) kur e shihnin Ritën i rendnin pas dhe thërrisnin : Rita me pantallona.
Vetëm kisha, xhamija, sinagoga e teqe nuk u ndërtuan, sepse me sa dukej partia e dhunës e kish bërë planin që në vitet 50-të për të qenë vendi i parë ateist në botë. Ata do të çonin në vënd amanetin e Robespierit, që më kot u përpoq t’a bënte Francën vend ateist. Nuk do të kalonte shumë kohë dhe historia do t’i vinte nga pas kësaj lagje të re të ngritur mbi shkurret, ferrat e moçalet e dikurshmë nga duart e mpleksura të « miqësisë» shqiptaro-sovjetike.
Personazhi i parë historik që nderoi Kombinatin me vizitën e tij ishte shoku Shpat Tarasi (fillim i mbarë gjysma e punës). Ky Antikrisht buzagaz, apo Tersgjergj siç do t’a quante Kadareja, vuri gurin e pare të themelit të kombinatit të tekstilit, të këtij purgatori proletar ku për vite të tëra punëtorët do të thithnin pluhura e avuj mbytës nën tingujt infernalë të orkestrës trugërvishëse të vegjave të tezgjahut. Ky kombinat do të shkatërronte sistematikisht jo vetëm shëndetin e punëtorëve, por edhe mbarvajtjen e familjeve të tyre. E rëndësishme ishte se në këte Purgator, pastroheshin kokat e punëtorëve nga lakrat e skorjet ideologjike dhe çdo shpirti të humbur i jepej shansi për t’u ngjitur në Parajsën komuniste( ministrië , komitetet e partisë) ose në të kundërt i priste Ferri i internimeve e Skëterra e burgjeve.
Pas shokut Taras do të denjonin edhe figura të tjera të rëndësishme, të vizitonin Kombinatin. Shoku Memo Çorrushi, heroi i luftës së Spanjës e komandanti legjendar i brigadës së parë sulmuese, pasi u bë kryeministër i vendit ishte njëkohësisht edhe deputet i kësaj zone. Si deputet ai qe i detyruar te vinte të paktën një herë në vit në Kombinat. Por ai vinte edhe më shpesh duke i mbushur plot zemrat e disa kombinatasve e brekët e disa të tjerëve.
Ai kryeministër trupvogël e idhnak, të cilin në Kinën komuniste e kishin pritur e respektuar si të ishte reinkarnacioni i Leninit, ishte i tmerrshëm për t’i futur frikën kujtdo që ishte më i vogël se ai në pozitë. Shpatullat e gjëra e trupi i fuqishëm nuk të mbronin dot nga zemërimi i këtij Akili vetullngrysur, i cili themrën e kish diku pas shpine.
Pas entuziazmit të fillimit dhe gëzimit fëminor në ditën e rrogave që shpërndaheshin në datat 9 dhe 23 (më vonë 9 e 24) punëtorët e kombinatit, e veçanërisht ata të fabrikës së tezgjahut, filluan të kuptojnë se jeta e tyre nuk ishte aq e bukur sa thuhej në radio e shkruhej në revista e gazeta. Shumë tezgjahistë e tezgjahiste i gënjente mendja se mund t’a braktisnin kombinatin kur të donin. A nuk thoshte Tarasi që Shqipëria ishte vënd demokratik ku sundonte klasa punëtore? Edhe tezgjahistët si punëtorë që ishin dëshironin të sundonin fatin e tyre.
Një pjesë e madhe e tyre kishin njoftuar drejtuesit, se dëshëronin të largoheshin nga tezgjahu. Kjo fjalë kish marrë dhenë dhe kish mbërritur në majën e piramidës drejtuese, duke lënduar veshët delikatë të Tarasit. Tezgjahu, zemra e pambuktë e kombinatit, rrezikohej të mbyllej.
Shoku Memo, me porosi të shokut Taras, erdhi me shpurën e tij në Kombinat dhe urdhëroi një mbledhje urgjente për të gjithë punonjësit e drejtuesit e tezgjahut.
Punëtorët, si ai fëmija që në errësirë zë e këndon nga frika, sa e panë Memon filluan të duartrokasin me variantin taktik, kërcen prifti nga belaja.
Memua i qetësoi shpejt me një lëvizje të prerë të dorës dhe pa humbur kohë morri fjalën:
Kam dëgjuar, nisi ai pa paranteza, por nuk dua t’a besoj, se shumica juaj duan të braktisin frontin e punës. Partia do të dijë a ka ndonjë që dëshëron të largohet nga tezgjahu dhe po pati ndonjë mostër të tillë, cila është arsyeja që ai dëshiron të largohen? Urdhëroni e flisni, tha ai dhe u ul duke shigjetuar me vështrimin e tij aspak miqësor grumbullin e çorientuar të punëtorëve sytrëmbur.
Ky fjalim lakonik dhe zëri i ngrohtë( pak i përvëluar) kryeministeror i ngriu deri në palcë të pranishmit. Ata heshtnin se i kishin kuptuar si duhet fjalët “urdhëroni e flisni”. Ato fjalë do të thoshin “guxoni e flisni në s’ju dhimset lëkura”.
Memua Triumfator, i bindur se i bindi bindshëm punëtorët, që të mos braktisnin tezgjahun, po bëhej gati të largohej. Në këtë kohë ngjitet në skenë Titi, një punëtor i thjeshtë, i cili guxoi e kërkoi fjalën. Fytyrat e punëtorëve të shpërfytyruara mjaft si nga lodhja ashtu edhe nga prania e kryeministrit, u zgjatën edhe më tepër. E shihnin Titin si të kishin para syve Giordano Bruno-n apo Jan Hus-in. Do të digjet e përcëllohet keq i gjori, mendonin ata. Disa tezgjahisteve iu mbushën sytë me lot për rininë e humbur të Titit. Njëra po mendonte edhe vargjet e para të këngës së ardhshme: Ishe i ri o Titi i zi, të dogji Memua të bëri hi.
Unë dëshëroj të largohem, foli Titi, duke e parë në sy Memon dhe pa e vrarë mëndjen se ç’këngë do të këndoheshin në të ardhmen për të.
Ti? Ti? Uleriu Memua.
Po unë, ja ktheu Titi.
Si quhesh ti?
Unë jam Titi.
Në rregull ti ti, ja ndau Memua emrin më dysh ashtu si kish qejf të ndante dhe atë.
Pse kërkon të braktisësh vendin e punës?
Dua të bëhem pilot, që t’i shërbej atdheut më denjësisht, u përgjigj Titi i qetë.
Kjo përgjigje pati një efekt magjik. Ajo e rriti Titin në sytë e punëtorëve e zvogëloi kryeministrin e vrazhdë, i cili e ndjeu se rrezikonte të bëhej qesharak.
Ti Titi do të bëhesh pilot? Kësaj radhe nuk ja ndau emrin.
Si urdhëron, shoku kryeministër, foli Titi prerazi.
Ti shum’ shum’ mund të bëhesh kapter, e ndërroi Mehmeti marrshin e bisedës. Nga marshi i pestë ai e uli tonin e bisedës në marrsh të parë. Homo sine scrupulis( njeriu pa skrupull) nuk donte të humbiste përballë homo sapiens, ngaqë besonte se ishte specie superiore.
Ti je djal’ i mirë, vazhdoi vrazhdësia e zbutur, ti i duhesh atdheut këtu në tezgjah.
A më kuptoveee?- tha kryeministri duke e ngritur pak zërin. Rrokja e zgjatur “veee“ të kujtonte padashur gumëzhimën e vegjave të tezgjahut.
Aq qartë sa shpjegoni ju është e pamundur të mos kuptosh, shoku Kryeministër.
Memua u thartua pak nga përgjigjjía e Titit dhe para se të ndahej me punëtorët tha:
Gjejini një vend në estradë Titit se qënka i lezetshëm. Me një qeshje të përbashkët u mbyll kjo aventurë pa dëme për Titin. E ç’ dëm tjetër të pësonte i gjori? A kish dënim më të madh se fakti qe ai punou tërë jetën në tezgjah, sepse u bë si desh partia. Nuk thosh më kot shoku Taras: “Historinë kanë qejf t’a bëjnë masat, por partia i tërheq ato për hunde”.
Shpeshherë përplasjet me Memon nuk ishin aq pa zarar sa kjo e mësipërmja.
Diellit i kish treguar babai një ngjarje tjetër me personazh kryesor kryeministrin, e cila kish ndodhur po në Kombinat.
Kryeministri kish ardhur në një nga festat e shumta partiake t’i hidhte një sy Kombinatit.
Duke ecur më këmbë, si dikur perandorët romakë, rrethuar nga popull duartrokitës e brohoritës, ai vuri re Sinanin, nje ish partizan të Brigadës së Parë ku Memua, dragoi i partisë, kish qenë komandant.
Sinani ishte një burrë me karakter që gëzonte respekt në lagjen e re. Në kundërshtim me vijën e partisë, ai ish martuar me një grua të mrekullueshme, e cila ishte e bija e zotit Mino, një kundërshtari politik të partisë së Memos.
Memon e kishin informuar për këtë martesë që kish bërë Sinani. Thone se informatat në qeveri i dërgonte Milua, ai spiuni hundshqiponjë me kaçurrela, që fuste hundët kudo që ndjente erën e armikut të klasës. Shprehja e famshme e Milos ishte: Armiqtë e partisë e të popullit bien era komplot e sabotazh.
Memua dukej sikur të kish ardhur në Kombinat vetëm e vetëm për të marrë në qafë Sinanin e gjorë.
Sapo e kish parë shokun e brigadës, kryeministri kish ndalur dhe e kish provokuar:
Ku je o Sinan Ll. o xhandar e kaluar xhandarit. Memua këtu ngatërronte , me siguri me qëllim, ballistët me xhandarët, sepse vjehrri i Sinanit ,zoti Mino, kish qenë ballist e jo xhandar.
Sinani ishte burrë trim dhe s’mund t’a duronte poshtrimin pa shkak edhe sikur ky poshtrim të quhej kryeministër. Për më tepër ky provokim i bëhej aq publikisht, nga personi numër dy në hierarkinë e «Klanit Tarrasi». Për të kish vetëm dy rrugë: Ose të humbte fytyrën e të ruante lëkurën ose të mbronte dinjitetin e të humbte të ardhmen. Sinani nuk deshi të humbiste fytyrën për shkak të pafytyrësië kryeministerore.
Dëgjo, o Memo Kapedani iu kthye ai kryeministrit , duke u dridhur nga zemërimi. Nëse unë jam xhandar ti je kryexhandar, se ke qenë komandanti im.
Memua qe zverdhur, qe skuqur e qe nxirë( kot thonë që kryeministrave as nuk ju skuqet e as nuk ju nxihet ). Megjithse komunistët guxonin edhe atë që s’i ka hije burrit, për çudinë e kombinatasve Memua nuk qe hakmarrë direkt. Kish skërmitur një “do më njohësh mirë se kush jam” dhe ish larguar. A thua se nuk e njihte Sinani se kush ishte ai.
Kjo përplasje me kryeministrin kish mjaftuar për të prishur idilin familjar të Sinanit. I ndjekur nga hija e persekutimit filloi të shkatërronte veten me mendime nga më të ndryshmet. Padashur ai dëmtoi edhe familjen derisa vdiq në dëshpërim. Avniu, djali i madh, një djalë trim, i dashur e me zemër të madhe e kërkoi rrugdaljen te pija dhe nuk e përmblodhi kurrë veten si duhet, deri sa vdiq edhe ai ende pa u plakur. Me sa duket ai trashëgoi fatin tragjik të babait. E bija Marjeta, një vajze e shkëlqyer, studioi stomatologji dhe punonte dentiste në Kombinat. Djali i vogël Titi pati fat më të mirë se babai e vëllai. Me ndihmën e farefisit e të miqve të babait ai gjeti një punë të mirë në një institucion qeveritar.
Me ose pa drejtë të, kjo varet nga këndvështrime personale, dikush mund të thotë :
Ç‘i u desh Sinanit të kthejë përgjigje kryeministrit? Sedërmangësia dhe përulja mund të jënë elemente të rëndësishme për mbijetësën fizike të individit, por prish ekuilibrin shoqëror. Po të kishin të gjithë njerëzit sedër, jo krenari se ajo është sëmundje, atëhere do të humbisnin vërtet shumë njerëz, ndoshta edhe jetën, por do të kishim si shpërblim njerëz me cilësi më të lartë se ajo egzistuese. Njerëzit pa sedër e dinjitet janë një truall ideal për kultivimin e karabushëve e kryeministrave pa vlerë.
Këto dy histori, dielli i kish me të dëgjuar, se kishin ndodhur shumë kohë më parë. Për ndodhinë e tretë me kryeministër ai ka qenë dëshmitar okular.
Diellit i kujtohej nje ngjarje ku kryeministri kish ndalur makinën e zëzë qeveritare dhe rendte si i tërbuar pas disa fëmijëve, të cilët pa pikë turpi ishin duke luajtur kok a pilë me lekë, para syve të kryeministrit hundlesh.
Deri atë çast ata fëmijë pa edukatë nuk kishin ditur se ç’është frika, por kur panë kryeministrin të vraponte pas tyre, i cili nga Memo ishte bërë si të ishte me motor, ata u bindën se prindrit thonin të vërtetën; kur i kërcënonin: “Rrini urtë e bëhuni fëmijë të mbarë, se për ndryshe ju vjen gogoli e ju bën gjëmën”. Që nga ajo ditë sa herë përmendej gogoli, Dielli kishte para syve atë kryeministër si” hollandezi fluturues”, atë marathonomak të kuq që vraponte pas fëmijëve për t’u bërë atyre të qartë se ata nuk do të kishin të ardhme, sa kohë që vendi do të mbante mbi supe kryeministra si ai.
Ndër shumë personalitete të tjerë, që kanë vizituar Kombinatin, mund të veçojmë atentatorin legjendar Qerim Hesapi, atë që ju kallte datën miqve e armiqve. Qerimi vinte shpesh në Kombinat për të luajtur bilardo. Kombinati do të dinte t‘ja vlerësonte ato vizita dhe do të pagëzonte dikur të vetmin gjimnaz të lagjes me emrin e tij.
Ky mund të quhet një vlerësim i madh për Qerim Hesapin sepse emrin e disa figurave të nderuara të kombit si Naim Frashëri, Fan Noli e të tjerë e kanë vetëm disa shkolla 9 vjeçare ( dikur 7 e më pas 8 vjeçare).
Me siguri e kanë shkelur e nëpërkëmbur edhe funksionarë të tjerë të Partsë së Punës Kombinatin, por në fund të fundit këta qenë vetëm personazhe vëndase. Perveç orizit, shqiptarët nuk i vlersonin kushedi çfarë prodhimet e vëndit. Çdo gjë e jashtme shihej me sy tjetër. Shprehja “Shi dreqi o bo si i jashtëm”, përdorej si kompliment. Aq e skalitur ishte kjo dukuri në kokat e shqiptarëve, sa edhe një personalitet i shquar i politikës tregonte në një emision televiziv, se kur ishte i vogël kish luajtur me një top hungarez, ndërkohë që fëmijët tiranas të rrugicave pa diell luanin me topa lecke. Në Kombinat luhej zakonisht me topa 50 lekësh llastiku për fortësine e të cilit mund të dilte dëshmitar Zeneli i pallatit 41, dritaret e të cilit i ndërronin më shpesh xhamat se vajzat sot fustanet. Zenelin, pasi kish punuar turnin e tretë në tezgjah, e gënjente mëndja se do të bënte një sy gjumë ditën. Sapo qepallat e tij përqafoheshin ëmbël nën perdenhijeplotë të vetullave të tija brezhnjeviane, topi 50 lekësh, i fortë si një gur zalli, përplasej në xhamin e ndërruar para dy ditësh.
Vetëm thika i lan gjynahet -mendonte Zeneli dhe pasi rrëmbente një thikë të madhe si jatagan jeniçerësh e kapte topin 50 lekësh nga gryka dhe ne dëgjonim vetëm ulërimën e topit që jepte frymën e fundit. Provoni e luani prapë-thoshte Zeneli dhe fëmijët ndiqnin këshillën e tij d.m.th. vazhdonin të luanin. Sa xhama e sa topa ranë në këtë luftë brezash. Vetëm në një rast u ndal dora hakmarrse e Zenelit. Djemtë e pallatit 41 po luanin me një top nga Bashkimi sovjetik. Këtë top ja kishte prurë Diellit xhaxhai i tij që studionte në Sant Peterburg (dikur Leningrad). Topi rus ra pre e një kurthi të ngritur me mjeshtëri nga Zeneli. Ai kishte lënë dritaren hapur dhe mendonte me një gurë të vriste dy zogj. Në këtë mënyrë edhe xhami i ri i shpëtonte masakrës, por edhe topi kapej si miu në çark. Plani i Zenelit funksionoi pikë e presje ashtu si e kish parashikuar ky Odise tezgjahist. Pas një shuti bombë të njërit prej fëmijëve, topi u përplas në pishën që shërbente si shtyllë porte dhe përfundoi në prëhërin e ngrohtë të Zenelit. Fëmijët e tmerruar prisnin me ankth dhe mendonin se ato vuajtje që do të hiqte xhami nëse dritarja do të ishte e mbyllur pritej t’i hiqte topi rus, i cili me sa dukej kish fluturuar enkas me mijra kilometra për të rëne viktimë e kontradiktave antagoniste midis Zenelit, që donte të flinte dhe fëmijve, që donin të luanin.
Zeneli, i vetdijshëm që sytë e fëmijve shihnin vetëm atë, doli në dritare me një pamje triumfuese. Në njërën dorë topin dhe në tjetrën thikën ai po pregatitej për finalen e shfaqjes. Nga që e dinte rrolin përmëndësh (sa herë e kish luajtur këtë rrol) ai nuk e kishte të nevojshme t’i hidhte sytë as topit e as thikës. Nga dalldia e ëmbël, që sa vinte e fryhej me gazrat e urrejtjes dhe hakmarrjes, atë e shkëput një thirrje lutëse e korit të fëmijëve: Mos e çaj, se është top sovjetik!
Zeneli hapi sytë. Figurat e bukura me ngjyra të topit ja zbutën disi shpirtin topshkatërrues.
Sa herë ju kam thënë “Mos luani para pallatit me top” si ata djemtë rrugaçë të rrugës Pal te ai libri i Ferenc Molnarit! Me që nuk u thye xhami po ju a fal kësaj rradhe, po kjo është hera e fundit. Morrët vesh, e fundit. Por në jetë “hera e fundit” rrallë qëllon të jetë vërtet e fundit. Nga kjo ndodhi fëmijët mësuan diçka të re. Zeneli i vrëngër, tmerri i topave, lexonte edhe libra.
Ndërkohë që jeta zjente në lagjen e re toka kombinatase bëhej gati të priste vizitorë të huaj në prëhërin e saj. Pë të rritur shkallën e njohjes së Kombinatit në botë do të ishte mirë që ai të vizitohej nga ndonjë peshk i madh historik, të cilin t’a njihte bota mbarë. Ah të kishim fatin e Butrintit thoshin kombinatasit. Edhe Butrinti është i vogël por aty kanë kaluar figura të tilla si Enea, Helenos apo Casanova ose të paktën fatin e Himarës, ku thonë se ka kaluar vetë Jul Çezari para se t’i binte pas shpine Mark Antonit. Ai Jul Çezari i famshëm, babai shpirtëror i Makiavelit, i cili e shtyu më se 2000 vjet bashkimin e Europës me atë shprehjen e tij ndjellakeqe e famëkeqe: Devida et impera ( Përça e sundo).
Në të vërtetë Himara do të quhej më me fat në rast se ky antihumanist të mos kishte shkelur në brigjet e saja.
Pra edhe Kombinati nuk donte të mbetej pas Butrintit e Himarës. Pa u rritur ende ai donte të bëhej pjesë e historisë botërore.
Fati mund të jetë i verbër por ai nuk është shurdh. Fati e degjoi lutjen e kombinatasve dhe ju dërgoi një figurë që në atë kohë ishte po aq i famshëm në kampin socialist sa dhe Beckenbauer apo Brigitte Bardot në kampin kapitalist. Në bllokun e lindjes politikanët ishin për poullin si yjet dhe personat VIP ne botën perëndimore. Ata i gjeje kudo, në radio e TV, në gazeta, në revista, të portretuar, të gdhendur në gur, në stema, në këngë, në poezi, në romane dhe në ëndrra të frikshme.
Por në rast se yjet perëndimor bëjnë diçka për famën e tyre, yjet e lindjes e kèrkojnë famën pa bërë asgjë të dobishme.
Ishte fundi i majit të vitit 1959 kur historia do t’i bënte një dhuratë Kombinatit. Udhëheqësi i shquar i Bashkimit të Madh Sovjetik ( i madh si sipërfaqe), dora vete, origjinali ( apo ndoshta edhe sozia e tij?!!!) tavarish Nikita Sergejeviç Hrushov zbarkoi në Kombinat. Ai shoqërohej nga tavarish Shpat Tarasi, të cilin shokët e quanin Shpat Largpamësi, sepse ai çdo gjë e bënte me qitje të largët. Kundërshtarët e quanin Shpat Kasapi, sepse ata ishin objekti i qitjes së largët.
I gjithë Kombinati kish dalë për t’i pritur. Çfarë fati ka kombinati! thoshin banorët me një ndjenjë krenarie të përzjer me një mallëngjim të pashpjegueshëm, që i kap shpesh njerzit e leshtë. Shpati gëzonte në pjesën proletaro-fshatare e pseudointelektuale të popullit një respekt të madh e një dashuri të pakufishme. Burrë i pashëm e me buzëqeshje të ëmbël ai dinte të fitonte zemrat naive, që rrihnin në gjokset e tkurrura nga hallet të fshatarëve e punëtorëve. Edhe familja e Diellit kish dalë t’i uronte mirëseardhjen udhëheqësve të ndritur. Mamaja e Diellit shtërngonte për dore Rezartën 6 vjeçare,që shëndriste vërtet si rreze e artë e veshur me një fustan të bardhë dhe Diellin 3 vjeçar të veshur me uniformë marinare. Ata kishin zënë vend pranë urës se përroit që kalonte para banesës të tyre. Përrua kish qenë dikur sepse komunistët me vrullin e tyre transformues e kishin shndërruar atë në një kanal për ujrat e zeza. Gabimisht disa e quanin Lanë ngaqë kujtonin se Lanë do të thotë kanal, se dhe Lana e gjorë,në mes të Tiranës, qe katandisur në një kanal shkarkimi për jashtëqitjen kryeqytetase.
Por pikërisht kjo urë e rëndomte prej betoni me çimento e hekur vëndi, poshtë së cilës gëlonin mijtë e kanaleve, do të fitonte pavdeksinë, sepse do të shkelej nga Kepucet e Nikitës, ato këpuce të verdha famoze, që kishin shkelur rëndë rëndë Kremlinin e që do të bënin të dridheshin tryezat e OKB-se, kur Nikita, më i famshmi ndër kllounët e politikës, do të luante pantomimën e tij tashmë legjendare. Ajo urë do të sfidonte edhe uren mesjetare të Tabakëve, urën me tre harqe, urën e Mesit, urën vajgurore,urën e Limuthit, uren e Mifolit apo urën e Lanës te teknologjiku. Pikërisht mbi këtë urë ,që po e pagëzojmë Ura e Këpucëve të Verdha, kombinatasit do të bëheshin dëshmitare të thjeshtësisë shpirtrore e mendore që i karakterizonte udheheqësit komunistë.
Nikita dhe Shpati zbritën nga makina lluksoze dhe marshuan krahpërkrah si një çift të dashurish në muajin e mjaltit, mes punëtorëve e fshatareve të proletarizuar të Kombinatit.
Papritur Nikita i fali vështrimin e tij Rezartes së vogël dhe i tha diçka Shpatit në rusisht pa e vrarë mendjen nëse tavarish Shpat Tarasi e kuptonte apo nuk e kuptonte gjuhën e Leninit. Shpati dinte aq rusisht sa dhe Stalini deri në moshën 9 vjeç d.m.th. 10-15 fjalë gjithsej, por më shumë se rusishten ai kuptoi lëvizjen e duarve të Hrushovit.
Megjithatë, si mjeshtër i shtirjes që ishte, ai bëri sikur e kuptoi rusishten. Shpati i u afrua Rezartës së vogël, e mori atë në krah dhe e çoi tek tavarish Nikita. Nikita i lëmoi kokën fëmijes se hutuar dhe futi dorën në xhep për të kërkuar diçka.
Ç’do të dalë nga xhepi i miqësisë sovjetike? Kjo pyetje kolektivizoi mendimet e gjithë kombinatasve. Mijra sy kishin drejtuar dritën e tyre kureshtare mbi xhepin e Hrushovit. Edhe në sytë e xhepistëve të rregjur të Kombinatit lexohej, ndoshta per të parën herë, pafajsia e kureshtjes së thjeshtë njerzore. Ata habiteshin edhe vetë, që po e shihnin xhepin e huaj pa emocionet e profesionit.
Pas një pritje të gjatë, që kish ngarkesën psiqiko-emocionale të një thriller-i nga Hitchcock, dora e Hrushovit, si një parangall që tërhiqet nga peshkatari, e braktisi xhepin marksist-leninist. Gishtat e tij të fuqishëm, të ashpërsuar që në rini nga punët e rënda në arat e çifligjet e të pasurve, kishin peshkuar një steme me fytyrën pa shprehje të Leninit. Rezarta e trëmbur e morri stemen, tha faleminderit dhe vrapoi tek e ëma. Punëtorët e tezgjahut, te mësuar të bërtisnin më zë të lartë mes zhurmave të skëterres tekstiliste , filluan te ulërijnë si djaj të mallëngjyer:
Shqipëri, Tarasi, Hrushovi!
Kujt ja rrasi Hrushovi mer lal? pyeti një pijanec tironc, i cili nga sirena e brohoritjeve qe bërë esëll. Pusho o i gjorë, i pëshpëriti dikush që i donte të mirën, se në të dëgjon Milo Kaçurreli do të kalbesh në burg e atje do t’a kuptosh mirë se çdo të thotë me “ta rras mer lal”!. Pijaneci u bë më i verdhë se këpucët e Hrushovit dhe e mbylli mirë squpin se e dinte i shkreti që në ato kohë të turbullta, kur sundonte Tarasi, ta rrasnin, ta rrasnin e prap ta rrasnin andej nga se pandehje.
Brohobritmat vazhdonin më të fuqishme si një batare e shkrehur nga grykët e hapura, me apo pa dëshirë. Këto britma shënonin hyrjen e Kombinatit në Bulevardin e Famës së Përbotshme.
Thonë se Hrushovit nuk i kishin pëlqyer plepat që zbukuronin rrugën kryesore të Kombinatit e përfundonin te Plepat (edhe ky një toponim) në Durrës. Ai i paskësh thënë Tarasit, se në vënd të plepave duhej të mbilleshin mollë. Tarasi kish buzëqeshur e kish bërë sikur qe entuziazmuar nga kjo ide. “Bëji qejfin trapit”, kështu mund të përkthehej ajo buzëqeshje aktoriale që kish zënë vënd përbukuri në fytyrën e Tarasit. Kjo tregon se feja dhe politika nuk kanë pasur rrënjë te shqiptarët. Ata i janë përshtatur përkohësisht fesë dhe politikës që sillnin të huajt me force apo me mashtrim, pa i marrë kurrë seriozisht as njërën e as tjetrën. Në rast se në dukje janë grindur e shpesh kanë luftuar njeri tjetrin në emër të fesë apo politikës, në të vërtetë janë kacafytur për atë që luftohet edhe sot kudo në botë, për lavdi, për pushtet e për para. Viktimat e vërteta të këtyre kunjukturave janë njerëzit me karakter dhe idealistët.
***
Vitet kalonin dhe familja e Diellit ishte bërë më e madhe. Një motër e vogël yll e bukur kish ardhur në jetë duke e shtuar dukshëm zhurmën e ndriçimin e kombinatit. Gjyshja e Diellit, Lutfija (një plakë e mençur plot humor) thoshte se ajo bukuroshe e vogël qante me katër zëra. Me që ishte yll e bukur ja vunë emrin Yllka.
Ndërkohë edhe Kombinati zbukurohej e zgjerohej nga dita në ditë me punën vullnetare të detyruar të banorve te tij. Konceptin e punes vullnetare të detyruar mund ta krahasosh me konceptin matematikor te pafundsisë së fundme. Duket si paradoks por eshtë megjithatë real.
Lulishte të panumërta jeshilonin kudo në një harmoni të plotë ngjyrash me fytyrat e verdha të punëtorëve që punonin me tre turne. Më të gjallërurat qenë lulishtet për të cilat kujdesej me pasion një burrac i vogël por shumë energjik. Ky burrac trim vigjëlonte si shqiponjë e turrej si dem i egër mbi këdo qëdo që guxonte te lëndonte lulet. Ai ishte Xixiu, mbreti i lulishteve, pa të cilin kombinati do të ishte më i varfer në ngjyrimin e tij. Nga që ishte kokëzbathur, d.m.th. pa flokë e pa kasketë, Xixiu kishte alergji nga tokat e djerra, të cilat i dukeshin si tulla kokash gjigante. Lulet për të ishin simboli i flokëve, i ëndrrës së tij të tij të fshehtë e të parealizueshme. Të vetmit vargje që Xixiu tërë jetën e vet kish mësuar përmëndësh ishin ata të një kopshtari me emrin Filip, i cili nga kopështar i dekorit të qytetit thuhet se arriti deri në postin e kopshtarit të Vatikanit, ndoshta edhe kjo një nga legjendat e panumërta të folklorit ballkanik. Me siguri dihet se Filipi, një plak i këndshëm nga Shkodra, ishte autori i këtyre vargjeve që recitonte i mallëngjyer Xixiu i Lulishteve :
Kush lules ‘ja din kimetin
E në shpi nuk don me pas
T’marr konopin, t’vari vedin
S’e sa niri po asht’ shtaz.
Xixiu dallohej edhe për një përkushtim të veçantë që ai tregonte në përcjelljen e njerëzve për në banesën e fundit. Atë e shihje shpesh në krye të kortezheve të varrimit duke drejtuar e organizuar që çdo gjë të shkonte si duhej. Me energjinë e tij të pashterrur ai bënte sa mundej për të lehtësuar sado pak gjëndjen e të afërmve të trishtuar. Xixiu ishte padyshim një kombinatas i vërtetë.
Megjithë përparimet e dukshme që bënte Kombinati problem i pa zgjidhur mbetej përroi i shndërruar në kanal, që përbënte një kërcënim serioz për fëmijët e Kombinatit. Ky kanal, rreth tre metra i thellë e katër metra i gjërë, ish një gropë e stërzgjatur e gjithëbetonuar. Sa herë qenë rrëzuar fëmijë të ndryshëm në të, duke u plagosur e duke thyer këmbët apo duart. Një fëmije fatkeq i qe hapur koka mes për mes duke i lënë si kujtim të hidhur një shenjë plage qe fillonte sipër ballit e mbaronte prapa afër vrimës së oksipitalit. Më vonë shokët nuk e thërrisnim me emrin e bukur Mantho , që i kishin vënë prindërit, por e thërisnin Llapa për shkak të gjurmës të çarjes së kokës. Mir që çau kokën i shkreti, por s’e linin rehat as mizat.
Një herë qe rrezuar edhe Dielli në kanal dhe ish plagosur rëndë në ball. Fëmijët e tjerë bërtisnin të tmerruar :
Dielli ka rënë në kanal, por ata që kalonin aty pari nuk shihnin ndinjë gje shqetësuese në britmat e fëmijëve të alarmuar sepse mendonin se ka rënë dielli e jo Dielli në kanal. Këta emrat e çuditshëm gjithmonë kanë sjellë keqkuptime.
Para se t’i binte të fikët nga plaga e hapur që kullonte gjak, kish mundur me forcat e fundit të kacavirrej në disa kunja hekuri të ngulur enkas në muret prej betoni, për të mundësuar zbritjen e ngjitjen e punëtorëve që bënin pastrimin e kanalit. Për fatin në fatkeqësi të Diellit aty pranë u gjend Luçi, komshiu me të cilin familja e Diellit ndante apartamentin prej 2 dhoma e një kuzhine. Ai e nuhati që këtu nuk bëhej flajë për diellin rrezeartë, por për komshiun e tij, atë Diellin e vogël i cili nuk linte dy gurë bashkë. Luçi rrëmbeu Diellin e gjakosur në krah dhe i doli para autobuzit të linjës bankë- kombinat, duke e detyruar atë të ndalojë. Nuk kish kohë të prisje ambulancën e spitalit të lagjes e cila më shumë qëllonte e prishur. Te banka duhej të merrnin autobusin e Laprakës për të mbërritur në spitalin ushtarak. Me një sakrificë e vetmohim të jashtëzakonshëm, mbante Llukani, (ky ishte emmri i tij i plotë), Diellin e e zverdhur gjatë gjithë kohës në krahët e tij. Rrjedhjen e gjakut ja kish ndalur duke i mbajtur një shami mbi ballë. Pak para se të hypnin në urbanin e Laprakës Dielli erdhi përkohësisht në vehte dhe si në mjegull dalloi prindërit e tij tek kalonin rrugës. Dielli i thotë shpëtimtarit të tij me një zë të mekur: Xhaxhi Luçi ja ku janë mami me babin, thiri pak ti se unë nuk mundem. Por Luçi nuk e pa të arsyeshme t’i tmerronte prindërit e Diellit duke ju treguar djalin e tyre në atë gjëndje. Ai kish vendosur t’a çonte heroizmin e tij deri në fund.
Qetësohu i thotë ai djalit të plagosur rëndë. Ne do të shkojmë bashkë në spital.
Pa e tepruar mund të thuhet se gjakftohtësia e vetmohimi i pashëmbullt i Luçit i shpëtuan jetën Diellit 5 vjeçar.
Një vit më vonë Dielli dhe fëmijët e tjerë të Pallateve 41 e 42, që luanin gjithmonë së bashku, përjetuan një tragjedi të vërtetë që i tronditi thellë zemrat e tyre të njoma. Një moshatar i Diellit kish shkuar të lahej në pjesën e sipërme të përroit, në afërsi të kodrave të Sharrës, shoqëruar nga dy fëmijë më të rritur se ai. Në këtë pjesë përroi ishte i pastër sepse ujrat e zeza shkarkoheshin më poshtë në pjesën që kalonte mes banesave. Panajoti, kështu quhej moshatari i Diellit, u fut të lahej në ujin e përroit pa ditur ende të notonte. Edhe dy fëmijët e tjerë më të rritur nuk dinin të notonin, por duke qenë respektivisht 9 e 10 vjeç ishin më të gjatë se Panajoti i vogël dhe uji ju vinte deri afër gojës. Ata u hutuan kur pane 6 vjeçarin që të zhytej. Në kohën që Panajoti luftonte për të dalë mbi ujë, një nga fëmijët e pranishëm u hodh t’a shpëtonte, por i trëmbur e i tmerruar nga përppjekjet e dëshpëruara të 6 vjeçarit, në vënd që të ndihmonte ai ra sipër fëmijës fatkeq duke e zhytur atë akoma më thellë. Hutimi dhe nxitimi i djalit të rritur përcaktuan fatin e engjëllit të pafajshëm 6 vjeçar. Burrat e të rinjtë, që erdhen pak më vonë të alarmuar, u përpoqën më kot t’a shpëtonin. Djali i vogël 6 vjeçar kish ndërruar jetë. Çfar nuk do të jepnin shokët e tij të vegjël pë t’a pasur Panajotin në lojrat e tyre e më vonë si shok klase, por e kaluara nuk mund të kthehet mbrapsht dhe kjo është prova më bindëse se koha, diçka krejt abstrakte, sundon plotësisht mbi njeriun dhe materien . Dielli kuptoi me intuitën e fëmijës se jeta ishte më e brishtë se lulet që ata shpesh këpusnin të shkujdesur. I pushtuar nga një frikë e paspjegueshme, kish pyetur mamanë e tij: Do të vdesim të gjithë një ditë?
E ëma kish ditur që t’a qetësonte me një përgjigje tepër të goditur.
Je i vogël për t’a vrarë mendjen me këtë pyetje. E ardhmja nuk dihet. Ndoshta shkenca me ndihmën e zotit do t’i japi njeriut pavdeksinë. Po Panajoti? Kish pyetur ai plot ankth e shpresë. Edhe për të kujdeset zoti, kish thënë e ëma pa mundur t’i fshehë lotët.
Një vit më vonë Dielli nisi shkollën fillore me një dëshire e vrull të denjë për emrin që mbante.
Emri i tij ishte tepër i rrallë. Në të gjithë shkollën ishte i vetmi Diell. Por emrat e rallë nuk qenë diçka e veçantë në Shqipëri. Shqiptarët duan të jenë kudo të paparë e jo vetëm ne përzgjedhjen e rripave. Ata përpiqen të vënë emra që nuk kanë egzistuar ose emra të huaj pa ja ditur kuptimin, si dhe emra personash te famshëm.
Kishte emra të tillë si Stalingrad, të cilin e thërrisnin shkurt Gradi. Nje tjetër quhej Zhdanov (shkurt Novi), për nder të Andrej Zhdanov, një burri të pandershëm e një krimineli stalinist, që dënonte shkrimtarët modernë të të Bashkimit Sovjetik. Kish edhe emra të tillë si Lavdosh(shkurt Doshi), Marenglen (gjatë Marks-Engels-Lenin,shkurt Geni),Lindor(Dori), Limonera (Monja), Vullnetare(Tarja), Çapajev(Jevi), Sheval(Shevi), Sevastjar(.Çevi), Koncerta(Koni), Puntore(Punto), Gabor( shkurt Zbori), Vepror(Pori), Partizan (Pati), Proletar (Letka), Plenium (Leno) etj. Nuk mungonin edhe emrat që i takonin florës e faunës si p.sh. Dallandyshe, Thëllëza,Luan, Shqiponja, Pëllumb, Mëzat, Dash,Ukë, Karafil, Bilbil,Trëndelina, Vjollca, Bajame, Shega, Mimoza etj.
Më tej vinin emrat plot kuptim,që u hapnin telashe atyre që i mbanin si Bashkim, Përparim,Durim, Fitim, Vullnet, Pajtim, Besnik, Fatbardh, Paqsor, Trim, Krenar, Kreshnik apo Fatmir. Mendo për një moment kur ata ishin të vegjël dhe dikush i thërriste nënave të tyre: Eja shpejt moj nuse se u dhje p.sh. Trimi, Krenari ose Kreshniku në brekë. Kishte dhe emra për femra që tregonte për vendin e rëndësishëm që zinte femra në shoqërinë shqiptare si Sose, Mjaftina, Mbarime, Mjaftuni ose edhe në gjuhë të huaj si Vafira( turqisht: Sose). Këto emra do të thoshin pak a shumë qoftë femra e fundit, më pas ardhshin djem. Për meshkuj nuk gjeje emra të tillë si Mjaftin, Mbarim, Fundor apo Usos.
Vetë Diellit i dukeshin këto emra ca të çuditshëm. Qëkur kish mësuar kuptimin e emrit që mbante kish filluar të arsyetonte disi ndryshe nga moshatarët e tij. Ky emër duhej merituar. Dielli në qiell ishte kudo i pari. Ai ishte i pari që largonte hijet e errësirës duke u hequr perden e zezë syve që donin të shikonin. Ai ngrohte të gjithë njëlloj, punëtorë e fshatarë,kulak e pushtetar, gra e burra, fëmijë e pleq.
Edhe Dielli i vogël 7 vjeçar donte të ishte si adashi i tij në qiell. Kudo i pari dhe i drejtë më të gjithë. Por si fëmijë ai nuk mund t’i merrte me mënd vështirsitë që do të kishte
për të realizuar detyrat që i kish vënë vetes. Për të qenë i pari është tejet e vështirë, për të mos thënë e pamundur. Pengesat që dalin janë nga më të paparashikuarat. Ti kërkon të jeshe i pari në gara vrapimi, por gjithnjë është dikush që vrapon më shpejtë se ty. Në mos në klasën tënde, në klasat e tjera e në mos në klasat e tjera në shkollat e tjera e keshtu me radhe, pa llogaritur edhe një difekt psikollogjik të trashëguar nga brezat, që në rast se nuk vrapojmë dot vetë pengojmë atë që është para nesh. Por fëmijet( shpesh edhe të rriturit) nuk i bien kaq gjatë, ata vrapojnë pa u ndalur edhe kur futen në qorrsokak. Disa janë aq kokfortë sa nuk e ndalin vrapin as para murit dhe i bien atij me kokë.
Dielli kish ëndërruar shpesh për ditën kur do të fillonte shkollën. Në imagjinatën e tij shkolla ishte një botë çudirash ku realizoheshin tërë ëndrrat e dëshirat e fëmijëve. Ditën e parë të shkollës e kish kyçur fort në kujtesë dhe e ruante me kujdes si Harpagoni florinjtë. Fëmijëve u mbajti një fjalim xha Koli, që ish nga familja e patriotit Jani Vreto nga Postenani i Leskovikut ( të mos i ngatërrojmë me ca Vreto të tjerë që janë nga fshati Bërzhestë). Dielli nuk e dinte në atë kohë se kush ishte Jani Vreto, por këtë emër mbante një rrugicë e vogël në Tiranë, ku jetonte një teze e Diellit. Kjo rrugice aq e vogël do të nxirrte disa njërëz të njohur në ambiente e fusha të ndryshme, njerëz që sot rëndom quhen VIP. Disa nga ata janë: Çiklisti. Agron T. disa herë kampion i vendit, kompozitori Selim I. pingpongisti kampion Arben K. E shume doktorë, profesorë e inxhinjere të zotë. Edhe mysafirët e kësaj rrugice janë sot të njohur si p.sh dirigjenti Jetrmir B. Me siguri “Jani Vreto” ishte rrugica më VIP në Tiranë.
Kjo qe arsyeja që emri i Koli Vretos dhe fjalimi i tij i imponuan respekt Diellit që fillonte klasën e parë. Kur u ul për herë të parë në bankat e shkollës, ato banka të zeza me dy ndarje poshtë për të futur çantat dhe një vimë sipër për të futur shishet e bojës në mes të një ulluku ku liheshin penat e shumë ngjyrëshme prej druri me maja metalike, Dielli ndjeu një emocion të veçantë. Ai e ndjente vehten si një personazh përallash dhe priste vërtet të përjetonte diçka të jashtëzakonëshme.
Në klasë hyri mesuese Violeta e cila pasi ju uroi fëmijëve «Mirëseardhjen» i shpërndau ata dy e nga dy nëpër tre rreshtat e bankave. Ishin plot 36 nxënës në një klasë. Ata mësuan se klasa e tyre ishte I-a. Pasi mësuesja premtoi se do t’ju hapte dyert e shumë të fshehtave të natyrës e dijes, mësuesja i vuri të këndojnë një këngë që në ato vite këndohej në të gjitha klasat e para.
Shkolla jonë e re, ç’bukuri ka marrë
Po na pret fatosat për herën e parë
Muret bardh si bora, bankat për dy veta
Majtas doli Bardhi, djathtas Violeta.
Dielli mendoi se mesuesja e kishte shpikur vetë këtë këngë, meqë aty përmendej edhe emri i saj. Për koençidencë në klasë kishim edhe një Bardhyl. Ne ishim të gjithe të vegjël se ishim në klasën e parë por Bardhyli ishte një imitacion i xhuxhave të Borëbardhës dhe dukej sikur ja kishin rrëmbyer se ëmës direkt nga gjiri. “Aq i vogël e zuri vënd në këngë”, mendonin jo pa zili fëmijët e tjerë.
Mësuese Violeta i vuri të shkruanim ca shkopa e ca grepa, të cilat ishin parafabrikatet për të ndërtuar pallate germash e fjalish. Dielli bëri në fillim ca shkopa e grepa të rregullt, por duke dashur të ishte i pari e shtoi shpejtësinë e shkrimit. Dora e tij e pamësuar me penë, e çorientuar edhe nga shpejtësia filloi të shkruante ca shenja pa kuptim, ca hieroglife të vetëshpikura, që i ngjanin gjurmëve që lenë këmbët e pulës në pluhur e baltë. Mbarova thirri ai i ngazëllyer, i pari!
Mësuese Violeta erdhi e qetë dhe e qeshur, por kur mori fletoren e Diellit në dorë dhe e pa për rreth dy minuta fytyra ju vrenjt. Ajo ju drejtua Diellit me një zë të ndryshëm nga ai që kish kënduar: Shkolla jonë e re…
Në fillim ke shkruar me kujdes por pastaj ke shkruar si me këmbët e pulës. Me një laps të trashë të kuq i mëshoi Diellit një 7 ne fletoren e bukurshkrimit, saqë Dielli ndjeu që shtata e kuqe rrezatoi ngjyrën e saj në faqet e tij.
U ngushëllua disi kur pa se kish edhe më keq. Bardhi i vogël kish marrë pesë dhe qeshte i lumtur se kujtonte te kish marrë vlerësim maksimal sepse një vit më parë pesa kish qenë nota më e mirë. Edhe Skeleti shoku i ngushtë i Diellit kish marrë pesë, por e dinte se pesa ishte notë jo aq e mirë sa kujtonte Bardhi i vogël(që nga nofka kuptohejt se Skeleti ishte një djalë i dobët, më vonë edhe në mësime).
Tafili i Gazermave kish marrë katër. Vetëm tre vajza kishin marrë dhjetë ndërmjet tyre edhe Zhuljeta, që me një vlerësim paraprak të Diellit ishte dhe vajza më e bukur e klasës. Dielli zuri mënd nga ajo shtatë dhe filloi të ishte më i vemëndshëm e më i kujdesshëm.
Ai mësonte mirë dhe e donte shkollën, por që te fitoje respektin e bashkë moshatarëve nuk mjaftonte vetëm mësimi e dituria.
Fëmijët e Kombinatit ishin e kundërta e Peter Pan-it. Nëse Peter Pan donte të mbetej i vogël, fëmijët e Kombinatit donin të burrëroheshin para kohe.Kjo tregonte se nuk qenë aq të lumtur në petkun e fëmijës.
Për shumicen e djemve me e rendesishme se shkolla ishte te ishe i forte e i patrëmbur. Ndoshta ishte dhe faji i këngëve që këndoheshin në atë kohë. Në një këngë për dashurinë këndohej:
…….zemra ime dashuron
brigadierin pararojë, djalin simpatik
shpatullgjërë, syshqiponjë, djalin si çelik…
ose disa këngë të vjetra si :
Trim mbi trima Ky gjergj Elez Alia
Qysh nan vjet nan varra n’shtat i ka.
Si dhe disa këngë ku lavdëroheshin vrasës si:
Gajret bani o Zek Jakini
Kurt Beg Çelën n’tok’ e shtrini.
pra direktivat ishin të qarta. Vajza dashuronte brigadierin, d.m.th. të parin, që kishte sy të çakërryer si të shqiponjës dhe ishte i fortë si çelik. Për zgjuarsinë e brigadierit as që bëhej fjalë. Djem me trup të stërvitur, të cilin e nxirrnin në pah me mburrje duke përdhunuar ca bluza të ngushta, bëheshin menjëherë të famshëm. Kush nuk ka dëgjuar për Bebin që donte të arratisej për të konkuruar në Hollywood me Steve Reeves? Apo për raste më pak tragjike e shpesh edhe komike si Nuz Trupi, Gim Kiri ose Kaçi i gabelëve të Yzberishtit?
Kur e shoqja e kish pyetur Kaçin – Lali e rref dot Herkulin ti? Ai me modesti ishte përgjigjur: Grushtit nuk i dihet mi t’keqen Lali. Po i gjujta i pari fitova, po më gjujti i pari fiton ai.
Prane godines ku banonte Dielli pluskonte me ujrat e tij te papastra, i menderosur por krenar, ish-perroi i Arbanës shndërruar ne kanal ujrash te zeza, i cili pas vizitës së Nikitës quhej Kanali i Miqësisë. Mbi këtë kanal duart e punëtorëve e fshatarëve, nën ritmin e tingujve të çekanit rus, kishin ndertuar uren tashme te famshme, Uren e Kepuceve të Verdha. Pak me tutje gjendeshin dy tuba te trasha avulli me nje diameter sa nje dajre e zakonshme apo nje tepsi e vogelbyreku. Në këto tuba ngroheshin diten femijët që banonin aty rrotull e natën endacakë të pastrehë, të rinj që rriheshin nga baballarët e dehur, gazermaxhi që shijonin luksin e ngrohjes, pijanecë apo burra të dobët që qenë përzënë nga gratë e fuqishme e muskuloze me gojën si shpata e Oiçit. I gjithe ky mozaik mjerimi ishte stolia e tubave natën. Pra që në atë kohë, kur tiranasit binin të flinin me pulat, në Kombinat bëhej jetë nate. Në muzgun e mbrëmjes kur errësira si me ndroje i afrohej qiellit kombinatas, që nxinte edhe ditën nga tymi i një termocentrali me qymyr, ndërtuar në kufijtë e skajmë të kombinatit, qëllonte që të ngroheshin njëkohesisht fëmije pa probleme dhe popull hallemadh. Në këtë kohë të shkurtër, kur dita sapo ja kish dorëzuar shërbimin natës, fëmijet mësonin ato që nuk mësohen në shkollë, që nga fjalori vulgar e deri te fantazitë epiko-erotike të nxitura nga ngrohtësia e tubave të avullit dhe të turbulluara nga kutërbimi i rëndë i kanalit, tumi i duhanit të lirë«Vullneti» dhe alkoli i holluar farmaceutik që pihes në vënd të rakisë..
Edhe Dielli ngrohej te tubat e avullit dhe dëgjonte historite që rrinin pezull midis tubave të avullit dhe ujrave të zeza të kanalit. Më tepër se erotika atij i interesonte epika e rrugës. Aty flitej për legjenda si Qerim Hesapi e Nagant Garipi apo edhe thjesht per burra te fortë si shkëmbi, merita e vetme të cilëve ishte fakti qe ata i thyenin turinjt atyre që në gjuhen e popullit quheshin langaraqë. Që këta langaraqë mund të ishin edhe intelektualë paqsorë as që e vriste mëndjen ndokush nga banorët e tubave.
Emra të tillë si Shaban E., Rrem S.; Sokol M., e më vonë Diu, Qemali e Sandri përmendeshin me adhurim e respekt.
Frymëzuar nga këto ikona të folklorit të tubave lindi dhe ambicja e parë egzotike e Diellit. Deri sa pa filluar klasën e dytë Dielli kishte piksynime të lavdrueshme. Ai përpiqej të ishte nxënës sa më i mire dhe lexonte libra me përalla si “Keci që dinte të numëronte deri në dhjetë”, “Gjashtë majmunet”, “Aventurat e Din Pakut”, “Heroizmat e Fatbardh Pikaloshit”, “Xhaxha Stefi”; “Goni trazovaçi”, “Një udhëtim i rrezikshëm”; “Aventutat Çipolinos”, “Çuku dhe Geku” etj. Si çdo nxënes shkolle atij i duhej të lexonte edhe përralla nga e kaluara ose më sakte tregime e poezi të realizmit socialist si “Na hoqën çatinë” të A.Çaçit, “I vogli mund të madhin” e Sotir A. apo tregimi aq i pabesueshëm sa dhe titulli “E pabesueshmja” e N,Priftit etj. Këto lexime të detyruara e shndërronin magjinë e leximit në punë angari.Dielli kërkonte të dilte nga rrethi i ngushtë i kësaj letërsije gjumëndjellëse. Ai kërkonte diçka më interesante e emocionuese. Nuk kaloi shumë kohë kur ai, nën ndikimin e historive mbi trimërite e grushtashpërndarësve filloi të pikturonte me fantazinë e tij fëminore atë ditë kur ai do të rrritej dhe emri i tij do të zinte vëndin e merituar në konstelacionin dritshkurtër të të fortëve. Për Diellin , që ish në formim e sipër, këto postjerë grushtash ishin figura po aq interesante sa Herkuli, Ursusi, Odiseu, Gjeto Basho Muji, Gjergj Elez Alia, Pal Golemi, Nik Peta, Rochi Marciano apo Casius Clay. Një Diell frikacak nuk i vlen askujt, mendonte ai. Një ndodhi e rastit do ta bindte Diellin se në Kombinat ishte e domosdoshme dhe jetike të ishe «i fortë».
Pak muaj pasi kish filluar klasën e parë ai me motrën e vogël, që si kishte mbushur akoma tre vjeç kishin shkuar të blenin mafishe. Kur po ktheheshin ata po ecnin në trotuarin e rrugës kryesore posht hijes së atyre plepave që si kishin pëlqyer Hrushovit. Një tufë gazermaxhinjsh të ulur në ato stolat e famshme te lulishteve i panë dhe folën diçka midis tyre. Dielli nuk dëgjoi asgjë se ata flisnin me zë të ulët, por vetëm nga drita e syve të tyre, që xixëllonin me shkëndija mafishesh, ai e kuptoi se ata kishin në plan një grabitje në mes të ditës. Për fatin e mirë të gazermaxhinjve e për fatin e keq të Diellit nuk ndodhej andej pari asnje nga policët e lagjes si Isai i tmerrshëm me mustaqe apo qoftë edhe Hysniu i urtë apo Mitati dy pëllëmbë burrë. Dielli ndërroi krahun me motrën e vogël i parapregatitur për invazionin e mundshëm. Kjo nuk i pëlqeu agresorëve, prandaj ata kaluan në planin B. Enveri i Katerinës bëri sikur po largohej nga grupi dhe me dinakërinë e një Enveri të famshëm( i cili u bë i pavdekshëm me atë dalje historike pas pas dyqanit Flora) doli pas pallateve shqiptaro-sovjetike dhe u zhduk nga faqja e dheut, të paktën për sytë e Diellit, për të dalë nga ana tjetër e trotuarit, nga ajo anë ku Dielli për siguri kish kaluar motrën e vogël. Dielli, i cili kishte harruar se në Kombinat egzistonte edhe Veri i Katerinës së Gazermave mendoi se rreziku kish kaluar. Kjo i kushtoi atij humbjen e vigjilencës. Një fjalë e urtë thotë: Lumi fle, armiku s’fle. Si shigjetë u sul Enveri ynë i Gazermave dhe para se figura e tij të fokusohej në retinën e Diellit (duke rrezikuar të shtypej nga ndonjë makine) rrëmbeu mafishen nga dora e vogël e Yllkës 3 vjeçare që duke qarë i dha të kuptojë Diellit se Enveri i kishte grabitur në mes të ditës. Aty Dielli mendoi afërsisht si Migjeni në poezinë e famshme « ah, të kisha një grusht të fuqishëm, Enverit që mbllaçitet në ball me ja ngjeshë».
Që me historitë epike të tubave të avullit Dielli kishte vendosur të bëhej i fortë, shto këtu këngën e brigadierit syshqiponjë e shpatull gjërë; pa harruar sulmin enverian që e mbushi kupën. Deri në ato çaste kur mori vendimin për të qenë i fortë, ai i ishte shmangur sherreve të përditëshme si në oborrin e shkollës ashtu dhe në rrugët e rrugicat e lagjes. Nje farë frike vetruajtëse ekzistonte brënda tij. Ata fëmije të pluhurusur e flokpakrehur, me pantallona me arna e shpesh edhe pa këpucë kishin një status të veçantë, si të Huckelberry Finn-it, në sytë e fëmijëve nga familje të rregullta. Ata ishin të vrazhdë dhe me sy të skuqur nga zemërimi i shpeshtë, nga të qarat e vazhdueshme dhe jeta e vështirë. Ata merrnin hak për padrejtësitë e fatit duke i ngacmuar e shpesh edhe duke i rrahur fëmijet e llastuar me këmisha të hekurosura, pantallona të bukura e pulovra të ngrohta. Dielli e urrente dhunën, por bashkë me të edhe frikën nga dhuna. Ndoshta ishte kjo arsyeja që ëndërronte të bëhej aq i fortë aq sa të mos i trembej askujt. Provat që bëri në mundje të lirë e pa rregulla të zhvilluar me fëmijet e pallatit ku jetonte rezultuan të sukseshme. Jo vetëm që i mundi tërë moshatarët e tij por arriti të fitojë edhe kundrejt dy fëmijve më të mëdhej në moshë. Këto rezultate qenë inkurajuese dhe e përgatitën zemrën e tij për betejat e ardhshme. Për fat të keq të fëmijëve paqësorë Kombinati ecte sipas teorisë së Darwin-it ku më i forti mbijeton. Fëmijët që i largoheshin sherrit quheshin me nënvleftësim qullacë. Suksesi i mëvoshëm i këtyre qullacëve do të rrëzonte teorinë e Darwin-it mbi dominimin e të fortit ose të paktën do t’i jepte fjalës “ i fortë”( origjinali në anglisht: fit) një kuptim tjetër. Një nga këta qullacë kombinatas u bë i njohur në filmin “Guximtarët” duke fituar famë në të gjithë vendin, falë interpretimit origjinal dhe mungesës së konkurencës në filmin shqiptar. Për kushtet në të cilat rritej, Diellit i takonte të ishte qullac, por koktejli shum ngjyrësh i historive të tubave, ku Enveri ishte qershija e koktejlit, e kishte bërë të mendohej.
Në një ditë të zakonshme kur si ngahera Dielli po luante me pulla poste me shokët e pallatit, shumicën e të cilëve i kish edhe në klasë, vjen si shpeshherë Kiçi( një gazermaxhi shpatullgjërë e syzgurdulluar) dhe shokët e Diellit si perherë po bëheshin gati t’i falnin nga një pullë poste, që ai t’i linte të luanin të qetë.
Pa dëshire fëmijet e pallatit filluan t’i jepnini Kiçit të gazermave secili nga një pullë.
Kiçi si një kontrollor cilësie vështronte se mos ndonjë pullë ish e dëmtuar, në gjuhën e fëmijve quhej e spiluar ose e pispiluar. Kur konstatonte ndonjë cep të dëmtuar Kiçi hakërrehej e thosh: Kujt do me ja hedh ti majmun? Kështu vazhdonte edhe atë ditë pagesa e haraçit pa ndonjë incident të veçantë, derisa radha për të paguar i erdhi Diellit:
Hë mor ti aty ç’pret? Më jep shpejt një pullë se nuk dua të rri tre orë ketu!
Dielli bëri sikur nuk degjoi dhe fshehtas pregatitej për betejen e pashmangshme. T’i thoshe Kiçit s’të jap pulle ishte si t’i thoshe rusëve largohuni nga baza e Vlorës apo të kundërshtoje në vitin 2008 ndërtimin e TEC-it në Vlorë. Kiçi u afrua për të marrë me forcë atë që ai mendonte se i takonte ligjërisht. Shokët e Diellit prisnin të trëmbur çfar do të ndodhte. Kiçi ishte imponuar në kokat e fëmijve të qetë si simboli i dhunës së pakundërshtueshme, si një luan i dalë nga xhungla e gazermave. Megjithse edhe më parë Dielli e kish urryer nënshtrimin kish bërë deri atë dite si dhe fëmijet e tjerë. Ai i kish dorezuar pullën Kiçit pa dëshire, por pa kundërshtuar. Për fatin e keq të Kiçit të tmerrshëm ai kish lexuar disa ditë më parë një tregim të Jack London-it ku ai tregonte mbi fitoren e tij mbi një djalë të dhunshëm si Kiçi, të quajtur Fytyrëdjathe. Dielli kish vendosur të bënte rezistencë.
Kjo ishte arsyeja që si shoket e tij ashtu edhe Kiçi i Pamposhtur kishin shënja hutimi në fytyrat e tyre.
Kiçi marshonte i fryrë si gjeldeti, plot vetbesim e madhështor si dikur Hrushovi mbi Urën e Këpucëve të verdha. Për tërheqje ishte tepër vone, por Dielli nuk e çonte ndërmend një gjë të tillë.
Babai i tij e kish mësuar të mos vraponte në rast se ndonjë qen i egërsuar do t’i sulej t’a ndiqte. Kur Kiçi u afrua rreth gjysëm metri dhe ngriti dorën e bërë grusht për t’a goditur ai u përkul pak dhe me një shpejtësi me të madhe se shpejtësia e valëve të mendimit të Kiçit të befasuar,i vuri atij një stërkëmbësh pasi e kish mbërthyer më parë për mesi. Kiçi u rrëzua si ndonjë kallam misri i prerë nga drapri. Dielli ju vertit me tërë peshën e trupit përsipër shumëzuar me nxitimin e rënies së lirë dhe përpiqej t’i ndalonte ulërimat e Kiçit me metoden kiçjane duke i rënë fort e shpesh mbi atë fytyrë që për të e për fëmijët e tjerë ishte një emblemë e egërsisë pakuptim dhe i dëshirës që ka i vrazhdi për të sunduar mbi të urtin. Ky zhvillim i papritur i ngjarjeve zgjoi shpirtin rebel te fëmijet e tjerë. Kristaqi, një djal bjond i cili pavarsisht emrit që mbante nuk shquhej për butësi e mëshirë kristiane me ata i binin në qafë, se ku sajoi shpejt e shpejt një litar( më duket se kish marrë litarin më të cilin Balja nderte rrobet për t’u thare) dhe sa hap e mbyll sytë i ndihmuar edhe nga kryengritës të tjerë e lidhën Kiçin e Lavdishëm pas trungut të një pishe qepallëgjelbër, e cila fshehtas derdhi lot per Kiçin e mbërthyer. Në rast se në këngën për Bacë Bajramin thuhej:
Nuk m’ka lidh as krajl as mbret
Veçse nji her’ nana n’djep.
Kiçi fare mire mund të thoshte:
S’më lidhi dot as nana n’djep
Por veç Kristaqi për gazep.
Në ato çaste Kiçi s’kishte kohë të thurte këngë se për të kish nisur një marrje në pyetje, e denjë për hetuesinë e sigurimit të shtetit.
Kush te ka derguar? Kujt ja jep pullat e marra?
Kam arrdhur me kokën time justifikohej Kiçi se nuk donte ta hante si grupazh.
Kristaqi nuk e besonte dhe i lëndonte Kiçit një çiban të verdhë e të madh sa një kokërr lajthi Përmeti. Dielli ishte në princip, pa e ditur akoma se ç’ish principi, kundër dhunës fizike apo psiqike.
Kristaq liroje !- thirri ai çuditërisht me një ton autoritar.
Kristaqi nuk kundërshtoi. Në sytë e Kiçit u dallua per herë të parë një mallëngjim e një veshtrim i butë simpatije. Por kur u largua nuk harroi të kërcënonte se do të vinte prap e atëherë do ta shihnin ata kriminele te vegjël. Ai do t’i detyronte të paguanin dy pulla për kokë, ai do të merrte me vehte edhe vëllain e madh Ramazanin etj. etj. Por me sa duket do ta ketë zënë të gjorin skleroza se për një kohë të gjatë nuk u duk andejpari, as per vjelje pullash, as per vjele arrash e as per vjelje komçash qe ishin tre fushat ku ai vinte shpesh per te marre haraçin e tij. Kjo ishte trimërija e pare e Diellit që do të ndiqej nga trimëri të tjera, të paktën për nga sasia dhjetfish më tepër se trimërite e Herkulit që u mjaftua me një duzinë trimërish. Në rast se Herkuli e nisi rrugën e trimërisë duke mundur luanin e Nemeut; Dielli si fillim mposhti luanin e Gazermave. Në ndryshim nga Herkuli Dielli nuk i kërkonte aventurat. Ato i vinin vetë, shpesh pa dëshirën e tij. Si shumica e personaszheve pozitivë të realizmit socialist Dielli e përdorte forcën fizike vetëm për vetëmbrojtje. Me fytyrën e tij të qeshur e plot dashamirësi ai tërhiqte padashur shumë fëmije grindavecë e mburravecë të cilët mendonin se do të korrnin një fitore të lehtë. Si të rriturit ashtu edhe fëmijet e paragjykojnë njëritjetrin shpeshherë nga pamja e jashtme. I veshur mirë, i krehur, i sjellshëm e pa vrazhdësi në fytyrë Dielli dukej si një thes i përsosur stërvitjeje për boksierë amatorë. Mirpo shumë shpejt trimat e vegjël do të bindeshin se nuk qe e lehtë të eklipsoje Diellin.
Përveç grindjes e sherrit me njëritjetrin fëmijet e Kombinatit kishin edhe mënyra të tjera për të kaluar kohën e lirë. Kombinati kishte edhe një ekip futbolli i cili luante në kategorinë e dytë. Futbollistët që luanin për Kombinatin punonin në kombinatin e tekstilit. Shumë prej tyre kishin luajtur për ekipet kryeqytetase të kategorisë së parë, më e mira kategori në atë kohe. Ata luanin me seriozitet e shpirt luftarak sepse donin të tregonin se ishin më të mirë nga se mendonin trajnerët e tyre të dikurshëm që s’i kishin përfshirë në formacionin e parë të klubeve si Tirana ( atë kohë 17 Nëntori), Partizani apo Dinamo. Fëmije e të rritur vërshonin të fusha e sportit për të parë ndeshjet e Kombinatit. Fusha e futbollit ishte e rrethuar me një gardh të thurur dërrasash dhe si rregull tifozeria duhej të qëndronte pas gardhit, por kish shume huj gardhi që nuk e respektonin regullin e futeshin jo vetëm brenda gardhit por edhe në fushën e lojës, sa që lojtarët e kishin problem kur jepej goditje këndi. Lojtari i caktuar për të goditur topin nga këndi largonte më parë tifozët. Por kjo nuk ishte pengesë për vazhdimin e ndeshjes dhe për argëtimin e torsidës kombinatase. Lojtarët e Kombinatit ishin në sytë e fëmijëve kombinatas si herojt e librave e të filmave. Më të përmendurit qenë Hamzai me numrin 10 dhe Shati me numrin 9, por edhe të tjerëve nuk u mungonin tifozët. Bashkimi apo Rasimi në portë, Nokja i gjatë, Miti i dobët, Diku me mustaqe,Vasua flokzi, Ben bjondi, Fat M.,Zabiti, Kujtim B., Llambi apo edhe Stefani qe ishte rezervë e mbante numrin 12. Por sulmuesit kryesorë, që ishin njëkohësisht edhe golshënuesit e ekipit ishin padyshim më popullorët. Hamzai qe bërë i njohur edhe përtej Kombinatit sepse me një gjuajtje bombë kish thyer shtyllën e kalbur transversale të fushës së Kombinatit. Portjerët Bashkimi e Rasimi kishin rol të vështirë, pak a shumë si Shqipëria në Ballkan. Të mjerët ata në rast se pësonin ndonjë gol qyl dhe në sytë e tifozëve nga 10 gola 9 ishin qyl. Bashkimi dhe Rasimi fajsoheshin shpesh për humbjet e Kombinatit. Ndër fajtorët e tjerë të shpeshtë ishin dhe arbitrat. Një herë ky brez lojtarësh desh doli në kategori të parë por në ndeshjen vendimtare humbi 1-0 kunder Yllit të Kuq të Pogradecit. Si gjithnjë fajtorë qenë portjeri Rasim dhe arbitri nga Lushnja. Llustraxhiu i lagjes la kutine e bojrave bashkë me ndejsen prej dërrase dhe shkoi të kapte për fyti arbitrin. Por në rrugë e sipër u kap si peshk nga një rrjet policësh, të cilët me majat e çizmeve e bindën se arbitri e kish gjykuar mirë ndeshjen. Brezi tjetër i lojtarëve me Kujtim H. që vinte nga ekipi i Tiranës , Lutin, Fat K., e Vilin si dhe” të vjetrit” Nokja, Beni, Miti etj.do të kishin më shumë fat e do të ngjiteshin në olimpin e futbollit shqiptar në kategorinë e pare ku do te luanin përball ekipeve me emër si Tirana, Partizani, Dinamo, Vllaznia, Elbasani(Labinoti) apo Flamurtari. Në fushën e shtrembër e me gunga të Kombinatit zbritën edhe ekipe si Vllaznia e Skënderbeu( në atë kohe ekip i fortë me të cilin luanin edhe Jani Kaçi e Taqo Xhambazi) në disa ndeshje kupash. Në ndeshjen e ekuilibruar kundër Skënderbeut Eduart S. goditi shtyllën. Në ndeshjen me Vllaznine ku fusha ishte e mbushur si asnjëherë me tifozë. Një pjesë e tyre kishin hipur edhe mbi çatinë prej eterniti të një kantjeri ndërtimi pak metra pas portës të mbrojtur nga portjeri Isa B., në drejtimin verior te lagjes. Ndeshjen e fitoi Vllaznia pas golit të fitores shënuar nga Ismet Hoxha. Fusha e lagjes, ajo fushë aq e lidhur me kombinatasit, ku shume banorë para kolektivizimit të plotë dhe kufizimit të pronës private kullosnin edhe delet e tyre, pa dashur u bë shkak per humbjen e ndeshjes. Nje gungë dheu e bari, e shitur te shkodranët, e devijoi topin e gjuajtur nga Hoxha duke e berë të kercejë pupthi para syve të tejhapur të Isës. Komunistët e Kombinatit, nën ndikimin e ideollogjisë marksiste-leniniste e cila si një gjilpërë e skuqur ju verbonte sytë, ishin mësuar që mossukseset t’i shpjegonin me punë armiqsore. Milua e shume shokë të tij mendonin se ndonjë i shitur te imperializmi kishin prishur fushën me qëllim që të ulnin moralin e punëtoreve dhe indirekt të sabotonin prodhimin. E kush mund ta bënte këtë përveç Zoit mendoi Milua. Ai kuptohet tre orë larg, që është armik. Milua kish dalë në këtë konkluzion sepse Zoi i thosh shpesh njerëzve se Milua është një idiot i madh. Një profesor fizike përpiqej më kot t’i mbushte mëndjen Milos se propabiliteti që gunga e dheut, trajektorja e topit dhe forca e gjuajtjes së Ismetit të rezultonin në gol ishte pothuajse zero.
Ti kërkon të mbrosh armikun e klasës, - kundërshtoi Milua. Ky reagim nga ana e Milos ja mbushi mëndjen profesorit se Zoi kish të drejtë kur thosh se Milua është idiot.
Por fëmijët e Kombinatit nuk mjaftoheshim vetëm duke parë ekipin e lagjes. Ata organizonin edhe vetë kampionate futbolli me blloqe. Në shëmbullin e Tiranës që ish e ndarë në 10 Lagje, Kombinati (Lagjia Nr. 6) ishte i ndarë në 11 blloqe. Lufta më e ashpër për titull zhvillohej nëpërmjet blloqeve 11 me Shkëlqimin, bllokut 4 me Ramadanin, Kujtimin e Çiçin, blloku 8 me Andrean, Valterin e Pajtimin, blloku 9 me vëllezrit Sotiri, blloku 10 me pasuesin,dribluesin dhe golshënuesin e famshëm Agronin e blloku 5 me vëllezrit Griba. Blloku 6 ku jetonin fëmijët e intelektualëve nuk shquhej as për grushta e as për futboll. Përjashtim nga ky bllok bënin Maksimi dhe Edmondi që ishin vërtet lojtar të mirë. Blloku 1 i qytetin të nxënësve, blloku 2 i zonës së Misto Mames , blloku 3 i Gazermave apo blloku 7 kishin individë por ju mungonte organizimi. Padyshim ylli më i ndritur i qiellit kombinatas ishte Ramadani një talent i rallë, e jo vetëm në futboll. Ai la pa mënd trajnerin e kombëtares gjermane kur luajti në stadiumin Qemal Stafa në një ndeshje të ekipit të të rinjve pak para se të fillonte ndeshja kunder gjermanëve, atë herë nënkampion bote. Ishte viti 1967 dhe Ramadani ishte vetëm 14 vjeç. Driblimet e fintet e Danit e bënë trajnerin gjerman të parandjente rrezikun që i kanosej kombëtares së tij. Kombtarja shqiptare në atë ndeshje fitoi 1-0 por arbitri austriak Ferdinand Marschall e anulloi golin e Fred Gjinalit, me pretendimin se nuk kish kaluar vijen fatale. Rezultati 0-0 i eleminoi gjermanët që në grup. Ishte hera e parë dhe e të fundit që gjermanët nuk u kualifikuan në një europian ose botëror. Veç futbollit Dani kish edhe shumë prirje të tjera. Ai ishte pingpongist i pamundshëm, këngëtar i mrekullueshëm dhe një aktor i shkëlqyer. Në teatrin popullor pat luajtur në dramën « 40 ditë » të Fadil Paçramit. Koço Devole ( se bashku me Zef Dedën e Fadil Hasën një nga tre mosketjeret e humorit me të cilët u bashkua më vonë edhe D’Artagnian-i Agron Llakaj) e pat vënë si personazh kryesor në komedinë e shkruar prej tij ”Bishti”; Në pingpong kish luajtur me kampionin e asaj kohe Arbenin dhe kish dalë barazim. Ai këndonte këngë të musikës së lehtë por edhe pjesë nga opera “Rigoleto” e Verdit dhe korrte duartrokitje si të ish Besnik Taraneshi e Gaqo Çako së bashku.
A mjaftuan tërë këto aftësi që Dani të arrinte sukses në jetë? Fatkeqsisht jo. Kush e pati fajin? Të thuash sistemi i atëhershëm nuk është e drejtë. Sistemi kish më tepër faj për ata që ngriti e për ata që uli, por jo për ata që nuk u ngritën.
Multitalentet kanë shpesh vështirësi për të qenë të sukseshëm. Duke qenë në një udhëkryq aftësish e prirjesh ata nuk dine ç’rrugë të ndjekin. Të famshëm, të admiruar nga moshatarët dhe në qendër të vëmendjes së të rriturve ata nuk kanë ndonjë shtysë të veçantë për t’u bërë dikush. Nevojën urgjente për t’u bërë dikush e kanë ata që ndjejnë se janë askush. Ndërsa problemi i Danit ishte fakti se ai ishte më tepër se dikush. Jo rrallë breshka e mund lepurin në garën e vrapimit, por kusuret bien mbi zhvillimin njerëzor.
Të gjitha këto aktivitete mbushnin disi jetën e fëmijve. Pika kulmore e ngjarjeve futbollistike ishin kampionatet botrore të futbollit.
Në vitin 1966 zhvillohej kampionati i VIII botror në Angli. Për t’i ndjekur ndeshjet në televizor ishte thuaj e pamundur. Kjo për arsyen e thjeshtë se në të gjithë Kombinatin kish një televizor të vetëm. Ai ndodhej në një nga sallat e kino-klubit të kombinatit, atje ku gjendeshin ndër të tjera biblioteka dhe salla e bilardos. Ky televizor i markës „Rekord „ ishte një dhuratë sovjetike. Shqiptarët u ruheshin dhuratave greke, ndërsa ato sovjetike i pranonin me kënaqësi.
Në sallën e televizorit u vendosën karrige dhe hyrja u bë me bileta. Dielli mundi të shihte vetëm një ndeshje, gjysmëfinalen ndërmjet Anglisë e Portugalisë. Nga gjithë fëmijët e pallatit 41 vetëm ai dhe Bujari i Xhekos e patën këtë privilegj.
Mbresat nga ndeshja ishin të pa shlyeshme. Dy nga gjigandët e futbollit të asaj kohe përballeshin në një spektakël të paharrueshëm ku në qendër të vemendjes ishin dy superyjet Charlton dhe Eusebio. Ndeshja përfundoi 2-1 në favor të Anglisë, ku Charlton shënoi dy gola, ndërsa Eusebio golin e portugezëve, me penallti.
Më vonë ai do të shihte live plot yje të futbolli në stadiumin “Qemal Stafa” yje të tillë si Dragan Djaic, Franz Beckenbauer, Gerd Müller, Pit Kaiser apo Gery Lineker, por pamjet televizive nga ndeshja Angli-Portugali do të zinin vendin e parë në albumin e kujtesës fusbollistike të Diellit.
Ndodh edhe një fenomen tjetër. Yjet në TV ndrijnë më tepër se kur i sheh live. Yjet që Dielli shihte në stadium nuk i dukeshin se kishin ndonje diferencë astronomike me yjet e futbollit të lagjes. Dani, Agroni, Maqo e Pajtimi mund te ishin bere si Garincha, Best, Maradona apo Messi, po te kishin fat të kishin lindur në një vend tjetër, ku futbolli nxitej e përkrahej materialisht e jo vetëm me entusiazëm si tek ne. Duke luftuar vetem për kupa qelqi e fletë lavdërimi me vula të bukura e me fjongo, vjen një kohë, që sportisti apo artisti lodhet dhe heq dorë për mungesë motivacioni.
*****
Shkolla ku mësonte Dielli mban sot emrin Lasgush Poradeci( Llazar Gusho), njëri prej poetëve më të mëdhej lirikë të Ballkanit. Në atë kohë ajo kish emrin shkolla “8 Nëntori”, në kujtim të asaj date fatale, në të cilën Tarasi me shokë themeloi shqiponjën parti, e cila në trupat e mijra shqiptarëve do të çukiste më egërsisht se shqiponja Eton në mëlçinë e Prometheut .
Si e vetmja shkollë 8 vjeçare e mirfilltë në të gjithë Kombinatin, pa llogaritur shkollën”50 vjetori i pavarësisë” ( e cila ishte gjysëm 8 vjeçare e gjysëm gjimnaz, sot shkolla “Mysine Kokalari”), shkolla“ 8 Nëntori” ishte një nyje nevralgjike ku kryqëzoheshin fatet e të gjithë fëmijëve të Kombinatit dhe fshatrave përreth. Në Sharrë, Yzberisht apo edhe në bllokun Nr. 1 ( Qyteti i nxënësve) kishte vetëm shkolla fillore. Pasi mbaronin klasën e katërt sharrjotët, yzberishtakët, qytetnxënësat e rrallë edhe ndonjë vaqarras apo arbanas vinin të mbaronin arsimimin e detyruar 8 vjeçar në këtë shkollë gjithkombinatase. Për të përballuar fluksin e madh të nxënësve, shkollës ju bë një shtesë rreth vitit 1965, duke i prishur edhe simetrine edhe raportin e ngjyrave. Kjo shtojcë i kish tullat më të zbardhura dhe dukej si ndonjë arnë e re e çelur, në një kostum të vjetër të errët. Më vonë, aty ku ishte fusha e druve, do të ndërtohej edhe një shkollë 8 vjeçare që do të quhej shkolla “Shyqyri Peza”.
Dielli dhe shumica e shokëve e shoqevë të klasës ishin banorë të bllokut Nr. 8. ky bllok përbëhej nga 8 pallate dy katshe të modelit sovjetik të cilët i ndante në simetri të plotë rruga “Llambi Bonata”. Katër nga këto pallate( Nr.41, 44, 47, 48) kishin formën e germës L dhe kishin tre shkallë dhe 20 apartamente. Katër të tjerët(Nr.42, 43,45,46) ishin në formën e germës I dhe kishin secili 12 apartamente. Pallatet 41, 42, 43 e 48 shtriheshin nga ana perëndimore e rruges jo larg kanalit kërcënues e kutërbues. Midis pallateve e kanalit gëlonin disa kopshte private, që ishin përvetësuar mbi bazën e ligjit “më i shkathëti më i shpejti”( shumë vite më vonë i modernizuar në variantin “ Tok’ e xunme”) por edhe mbi bazën e parimit” komunisti duhet të jetë kudo i pari”. Para pallatit ku banonte edhe Dielli kishte gjashtë kopshte të tilla që në gjuhën e përditshme quheshin bahçe. Më e famshme bahçja e xha Metit nga Përmeti, e cila kish një pemë qershije, një pemë hurme, një pemë ftoi e disa rrënjë fiq. Baçja e xha Ramadanit nga Mallakastra ishte më e thjeshtë. Aty kish një hurmë, një fik e një pishë mbi të cilën kacavirrej një hardhi rrushi çylek, si i thonë shkodranët, apo rrush me erë, rrush qelbs ose rrush vajguri si i thonë krahina të ndryshme. Pak më të thjeshta ishin Bahçja e Muhametit nga Libohova dhe baçja e Kadriut përmetar. Kadriu kish një shegë e një fik, kurse Muhameti vetëm një fik. Më të thjeshtat nga të gjitha ishin Baçja e Vasilit nga Vriseraja dhe baçja e Hysniut nga Korça. Vasili kish një fik fare të vogël, që rrallë i piqeshin kokrrat, kurse Hysniu vetëm një plep piramidal që ishte pema më e lartë për rreth. Këto dy bahçet e fundit kishin nga një gardh të ulët e më vonë mbetën pa gardh. Fëmijët guxuan dhe e morrën nëpër këmbë gardhin e ulët, sepse dy pronarët e këtyre bahçeve në miniaturë nuk ishin antarë partije. Vasili ishte shofer taksije ndërsa Hysniu ishte infermjer. Diku larg pallatit, ngjitur me fushen e futbollit të Kombinatit, lulëzonte e përparonte një bahçe me e madhe se të gjitha ato që përmendëm, të marra së bashku. Kjo ishte bahçja e komunistit Bektash Velia, babait të Diellit. Ajo nuk kishte pemë frutore por shërbente më tepër për mbjellje misri e gruri sipas rradhës e stinës. Brënda bahçes lartësohej një kasolle që shërbente si vathë e strehë për dhjetra dele e dy lopë.
Origjina e pronarëve, pesë nga ata ishin edhe komunistë, tregon se jugu i Shqipërisë e ka marrë gjithmonë me seriozitet çështjen e pronave e të pushtetit. Pak kohë para se pronësia e tokës në qytet të ndalohej me ligj dhe ato bahçe të mrekullueshme të shkatërroheshin, u turren edhe disa veriore si Xhemili e Hamdiu nga Kukësi e zunë nga një copë tokë në anën tjetër të kanalit. Në të gjitha bahçet para pallatit mbilleshin domate, speca e misra. Ndonjëherë mbillej edhe tërsherë me të cilën bëheshin fshesa. Prapa pallatit 41 buzë rrugës kryesore të kombinatit( Rruga Llazi Miho) ishte një lulishte e bukur me disa pisha hijedhuruese e dy shelgje të bukur, si ato shelgjet e Shakespear-it që vajtonin për Ofelinë.
Një ambient i tillë ishte një parajsë për lojrat, aventurat dhe aktivitetet e fëmijëve të Kombinatit. Natyra e gjelbërimi akoma nuk e kishin humbur luftën e pabarabartë kundër betonimit, lejeve të ndërtimit, kanalit e pluhurave.
Lojrat që luheshin ishin të gjitha lojra në natyrë dhe stimulonin motorikën, zhdërvjelltësinë, fantazinë e koncentrimin e fëmijëve.
Lojë me cingla, ngriva shkriva, kumançe, sylla mbylla, topa rrasa, topa gropthi, lojra me litar, me peta, luftash, kala dibrançe, me pinca, telefoni i prishur, lojra me shtete( ku patriotët e vegjël donin të ishin Shqipëria, për të pasur mundësi të pushtonin shtete si Kina apo Amerika), e ka kush e ka, me komça, me arra, falas djegas, me paqeta, me kutitë e shkrepseve, me heronj ( kështu i quanim të gjitha fotografitë e figurave të ndryshme botërore apo shqiptare, qe i prisnim nga revistat, kalendarët librat), loja me rreth, ku merreshin rrarhët metalikë që mbyllnin kapakët e fuçive dhe drejtoheshin me një tel të përgatitur enkas( kjo loje pa shpenzime, nga që ishte loja e preferuar e gazermaxhinjve ishte shpallur si lojë rrugaçësh), partizanët kundër gjermanëve( imitin i lojës kusar e xhandarë si në këngën e Nancy Sinatra “Bang bang”), lojë mos u nxe, shah, lojë me kazoza( sfera prej qelqi), guraçokthi etj. etj. etj.
Dielli i luante me dëshirë e pasion shumicën e këtyre lojrave.
Në lojën me cingla dallohej Vladimir L. i njohur si Tupja, i cili kish arritur të xhonglonte 11 herë rresht me cingla. Pullat më të bukura i kishte Vladimir B. i cili kish gjetur një adresë të një filatelisti francez të quajtur Raymond Delon. Ai i kish dërguar disa pulla francezit dhe për çudinë e fëmijëve të tjerë (që më kot kishin çuar letra në të zezën Spanjë, matanë detit në Itali si dhe matanë oqeanit, deri në Argjentinë) filatelisti francez i solli atij shumë pulla të bukura. Fëmijëve u mbeti mendja te pullat Sarawak e Maledive që ishin jo vetëm të bukura por edhe të pa dëgjuara. Pulla të bukura kish edhe Ibrahim M. i njohur si Kinxa( një diminuitiv i fjalës kinez). Ai kish luajtur me disa fëmijë të bllokut Nr. 10 dhe u kish fituar atyre ca mrekullira të tilla si Volta e Sipërme, San Pierre et Miquelon, Ifni, Sudan, Fernando Poo, Somali etj. Me pinca, që ishte më tepër lojë për vajza dallohej Sose H. e cila e mbaronte lojën pa u djegur. Për kala dibrançe dallohej Bashkim M. i cili kërcente shumë dhe mjerë kurrizi i atij mbi të cilin binte trupi i rëndë i Bashkimit. Në lojën me vila arrash dalloheshin vëllezrit Shkëlqim e Besnik J. si dhe Dhimitrraq M. i njohur më shumë si “Skeleti” shkurt Lekla, të cilët dinin të përgatisnin edhe kopacat më të mirë. Kopaca quheshin arrat me të cilat goditeshin vilat e arrave ( arra të vëna mbi njëra tjetrën). Për të bërë një kopac zgjidheshin arra sa me sferike. Ato gërryheshim me kujdes, me tel nga brënda e mbusheshin me rërë për të rrëshqitur sa më mirë.
Në pafundësinë e lojrave që luheshin në Kombinat kishtë edhe lojra me zarar e të rrezikshme si lufta me gurë, ku fëmijët shpesh i çanin kokat njeri tjetrit ose kalimtarëve të rastit, lidhja e litarëve midis dy pemëve për të penguar kalimtarët. Në këtë “lojë” zgjidhej mbrëmja si kohë e përshtatshmë, në mënyrë që viktimat e rastit të mos e dallonin litarin. Ndonjëherë kjo lojë e rrezikshme rrezikonte edhe fqinjësinë e mirë të pallatit 41. Fëmijet lidhnin tela edhe para hyrjeve pa dyer të pallatit. Menteshat që kishin mbetur aty si atavizma të dyerve të jashtme, të cilat kishin egzistuar vetëm në inagurimin e pallatit, shërbenin për mrekulli për të lidhur e tendosur litarin njerëzrrëzues. Viktima e preferuar e fëmijve ishte Margarita e Lonit, një grua me shumë halle dhe me pak imagjinatë. Fëmijët trokisnin te dera e apartamentit të Margaritës me forcë, për t’a detyruar të dilte. Pastaj duke e përqeshur me gjeste rendnin turravrap, duke e kapërcyer litarin tinzar. Margarita i ndiqte, pengohej, rrëzohej, shante dhe futej brënda. Fëmijëtt trokisnin prapë, bërtisninin, përqeshnin, rendnin turravrap dhe kapërcenin litarin dinak. Margarita bënte të njëjtat gjëra si më parë, a thua se po xhirohej film. Një herë fëmijët trokitën aq fort sa zgjuan Zenilin e Tmerrshëm të Topave. Ai ngrysi ato vetulla si gëmushë, çfryu si lokomotivë me qymyr, shau, bërtiti dhe ndoqi fëmijët. Fëmijët vrapuan, kapërcyen litarin dhe prisnin. Por ajo që ata prisnin nuk nddhi. Zeneli nuk ra. Si burrë me peshë( afër një kuintal ), au u drodh, u lëkund, desh u thye në dysh dhe dikur, si ai zari i ruletës që është dredhur e përdredhur duke i lënë të gjithë në ankth, ndaloi. Njeriu me vullnet të paepur dhe fytyrë të egër e mposhti litarin. Litari u këput. Margarita që doli pas Zenelit gati sa nuk qante nga gëzimi i fitores.
Një “lojë” e pakëndëshme ishte edhe ajo me kaushë të mbushur me rërë, të cilët hidheshin pa kujdes mbi koka të rëndësishme komunistësh me autoritet. Një hërë Dielli me Skeletin, Kristaq B. dhe djalin e tij të xhaxhait Arbenin, që kishte ardhur mysafir nga Vlora, organizuan një sulm me kaushë dheu, pikërisht atje ku kryetari i frontit Muhameti, bashke me antarë të tjerë të kryesisë, ish mbledhur për të folur mbi zgjedhjet. Ky aksion sabotues i fëmijëve ishte frymëzur nga filmi Furtuna, të cilin fëmijët e kishin kuptuar ca si mbrapsht.
Fronti demokratik kish fituar vetëm 99,99% të votave dhe frontjerët të shqetësuar mundoheshin të gjenin se cili ishte ai armik i frontit demokratik që kish guxuar të votonte kundër.
Do ta zbulojmë armikun kudo që të fshihet, kumbonte zëri i Muhametit në sheshin para kopështit të fëmijëve (kopshtit Nr.40) duke i bërë të dridhen pishat dhe lulet në oborrin e kopështit.
Pikërisht në këtë çast, me një sinkronizim pa komandë, katër fëmijët lëshuan katjushat ( kaushat) e dheut mbi baballarët e frontit.
Një kaush e morri Muhametin në brinjë, ndërsa Kadriu, që pa një objekt të paidentifikuat të fluturojë drejt tij, u përkul dhe kështu kaushi goditi në lule të ballit Milo Kaçurrelin, i cili u shtri në tokë sa gjatë-gjërë dhe thirri: Te rrojë partia e shoku Tarras!!! Më varrosni në fshatin tim në Qeparonë e bukur, atje poshtë te rrapi i gjërë i Bollanos. Çohu o Milo- i tha Muhameti, se nuk vdes burri nga një kaush pluhur. Muri dhe errësira ndihmuan tërheqjen e fëmijëve qe vraponin nga sytë këmbët. Zëri i Muhametit i ndiqte fëmijët hap pas hapi.
Kapeni armikun e klasës bërtiste Muhameti i pluhurosur.Kapini shejtanët! therriste Kadriu me një ton më të zbutur. Vetëm anëtarin e frontit Foto F. nuk e kapi asnjë predhë pluhuri. Nga që kishte përmasa napoloniane, një kollos prej 1,63m, të gjithë kaushët fluturuan në një rrafsh tangent me kokën e tij.
Ky aksion ishte vetëm një budallallëk fëmijnor pa asnjë tendencë lufte klasore.
Familja e Diellit i përkiste vetë po asaj klase punëtore qe ndërtonte socializmin me këngë në gojë edhe kur nuk i këndohej. Babai i Diellit ishte antar i PPSH , një nga ata antarët që shtonin rradhët ose më mirë të themi si ata tifozët e futbollit, që janë me Tiranën apo Partizanin, pa shkelur një herë në stadium. Ai shihte punën e bahçen e tij pa u kujdesur shumë për punët e frontit. Xhaxhai i Diellit, babai i Arbenit, ishte inxhinjer marine, i dipllomuar në Bashkimin Sovjetik.
Të gjitha këto nuk do të pinin ujë. Po t’i kishin zëne me siguri do t’i kishin nisur të tërë atentatorët e vegjël në shkollën e riedukimit. Ajo shkollë në gjuhën e popullit quhej shkolla e vagabondave. Fëmijët fatkeqë që izoloheshin në këtë «shkollë» riedukoheshin e pregatiteshin për universitetin e burgut. Aty ata mësonin nga njeri-tjetri lëndë speciale si vjedhje xhepash, hile në lojra me letra, pregatitje zarash pençi se, mashtrim pleqsh e grashë, hapje dyersh me tel, si të bënin dëshmi të rreme etj.
As hunda largnuhatëse e Milo Kaçurrellit nuk i ra në erë atentatorëve. Ajo hundë që sa e sa herë ishte futur me sukses në punët e të tjerëve, duke shkatërruar jetën e tyre. Njëherë i shkoi mëndja të merrnin një qen kufiri, por krenaria profesionale nuk e la t’a ulte hundën si karrotë.
Çfar ka qeni i kufirit më shumë se unë? pyeti vehten.
Asgjë, u përgjigj po vetë.
Spiunët në letërsinë e realizmit socialist, në këtë letërsi propagandistike të shpikur nga Maksim Gorki, ishin zakonisht qënie të shëmtuara e të përçudnuara, hundëpatëllxhan e pa qimë në kokë, me dhëmbë një po e një jo (si të kishte luajtur dentisti lojën më do apo s’më do me dhëmbët e tyre), pak të çalë e me kurriz të dalë, barkëmëdhenj e syçakërryer ( nga dëshira për të parë edhe atë që nuk shihej), fytyrënxirë e gagaçë, e plot e plot epitete të tjera të huajtura që nga Homeri e deri tek Agolli. Milo Kaçurreli, si e thotë edhe llagapi, kishte në kokë një gëmushë të dëndur krelash, që do t’ja kish zili edhe një afrikan i xhunglës. Sa grenxa ja kishin vënë syrin asaj koke për të ndërtuar atje folenë e dashurisë, sa merimanga lakmonin të shtrinin aty rrjetat e tyre, por druheshin nga vigjilenca e Milos. Me instinktin e insektit ato i largoheshin asaj koke vigjilente( por jo inteligjente), të helmatisur nga mendimet për t’ju bërë keq fatkeqëve.
Hunda e Milos ishte shumë larg patëllxhanit. Ajo i ngjante më tepër një karrote dhe i jepte fytyrës së tij të tejzgjatur, ndoshta edhe nga kurioziteti i tepërt, pamjen e një prapanice blete, ku hunda majoshe luante rolin e thumbit. Por kushdo do të kish preferuar thumbimin e 1000 bletëve, në vend të hundfutjes së Milos në punët e tyre. Fytyra e Milos ishte e bardhe si barku i bretkocës dhe kur qeshte( vetëm më 29 shkurt, sepse kish një ditë më shumë për të spiunuar ) i dilnin në pah ca dhëmbë të bardhë si shkumësa që ishin të tijat dhe nuk njihnin vegla dentisti. Askush nuk mund t’a akuzonte Milon se qeshte me dhëmbët e shtetit, si thuhej me shaka për ata që kishin proteza, të paguara nga arka e shtetit. Një nga të mirat e komunizmit ishte edhe mjekimi falas. Për cilësinë s’ke pse pyet. Kali i dhuruar nuk shihet nga dhëmbët.
Në kundërshtim me vështrimin e shtrëmbër e të vrëngërt që nuk ju a kursente as fëmijëve të tij, kurrizi i Milos ishte i drejtë. Edhe nëse çalonte pak kjo nuk i binte aq shumë në sy, ndonëse disa gojë e përflisnin dhe thonin se Milua kur ecte dukej si aeroplan me një fletë. Barkun e kish të futur, të ngjeshur e më të forte se kurrizin, atë kurriz që me siguri do t’ja kishin zbutur shpesh para se të bëhej i paprekshëm dhe i paplagosshëm, duke përdorur teserën e kuqe si jelek antidajak.
Vetëm në një pike takoheshin klishetë e letërsisë së realizmit socialist me pamjen origjinale të spiunit Milo.
Milua ishte, pavarërsisht kaçurrelave të bukura që e rrethonin, brënda të cilave ai dukej si një lejlek që mban folenë e tij mbi krye si paruke, një figure e përçudnuar, me ca sy të qelqtë, si xhama të kaltër pa jetë, vështrimi i të cilëve(duke rrezatuar dioksid karboni) dobësonte shtresën e ozonit në qiell.
Nëse partisë i duhej punë e madhe për t’i shndërruar antarët aktive të saj në përbindsha, Milo ishte i tillë ende pa marrë teserën.
Ka disa lloje qëniesh njerëzore, difekte të pandreqshme të pokerit evolucionit, të cilët shpalosen katërcipërisht në kohë luftrash e diktaturash. Këta lloj njerëzish duhet të jenë pasardhës të hijenës. Po të kishin rrjedhur nga majmuni, do të kishin sado pak dashuri e humor brënda vehtes.
Shpirtra të turbullt sundojnë gjithmonë në kohë të turbullta.
Njerëz si Milua bëjnë atë që pritet prej tyre dhe nuk habisin askënd. Si t’u a bësh disa të tjerëve që janë më të rafinuar se ai? Si të mbrohesh nga budallallëku masiv, që njihet ndryshe si vrulli i masave, nga kjo histeri popullore që ndal kohën e pengon zhvillimin? Çfar t’u thuash atyre vajzave të vogla që duke luajtur me litar, në vënd të këngëve të natyrshme shoqëruese si :me nga pes pa lën litar, këndonin një këngë makabre duke u hedhur shkujdesur një këngë që dënonte «Armiqtë» e popullit.
Teme Sejko ësht’ tradhëtar duhet varur në litar. Një këngë jakobine e përzier me pafajsi fëmije. Vetëm diktaturat e deformojnë jetën dhe njerëzit si në pikturat syrealiste, ku nuk mund ta dallosh qartë se çfarë objekti ke përballë. Ndryshe nuk mund të shpjegohen disa ndodhi e ngjarje të pabesueshme, që ndodhnin në shkollat e Shqipërisë.
Njëherë në klasën e dytë, kur Dielli sapo kish bërë betimin si pioner ( Me formulën: Betohem përpara flamurit e shokëve të mi pionerë…)dhe i ishin rritur paksa veshët nga kënaqësia me shallin e kuq në qafë ndodhi diçka që Dielli e kishte të vështirë t’a besonte se mund të ketë ndodhur edhe më parë në këtë botë.
Kjo ndodhi në mësimin e punëdores ku nxënësit do të prisnin me gërshërë letra me ngjyra për dekoracionin e klasës me rastin e vitit të ri.
Ndërkohë që shumica e nxënësve kishin filluar të prisnin letra u dëgjua një ulërime therëse e një vajze: Më kanë vjedhur gërshërët!
Mësuesja e klasës ushtroi pa vonesë një kontroll të imët. Dikur kontrolli nuk ishte më i nevojshëm. Gërshëra e «çmuar» u gjet në çantën e një vajze tjetër, që kushedi ç’e kish gënjyer mendja. Me një fjalë punë fëmijësh që mund të mbyllej duke i kthyer gërshërën së zonjës. Por mësuesja e klasës, që mbante emrin e perëndeshes së Bukurisë, vendosi t’a bënte vajzën e mjerë shëmbull para gjithë klasës.
Hajdute, tha mësuesja. Fytyra e edukatores se brezit të ri pak e nga pak e humbi atë ngjyrën e ftoit që kishte zakonisht. Fytyra e skuqur, me dy gropa në vënd të mollëzave, dukej si kurrizi i një nuse pashke i parë me lente, ku gropat e fytyrës ishin pikat e zeza.
Çohë në këmbë! Urdhëroi nusja e pashkës , kurrizi i të cilës ,pak nga pak me një efekt kameleoni, po bëhej i verdhë.
Nxënsja e tmerruar, pa e ditur ende se çfarë e priste, zbatoi urdhërin e dhënë me atë ze të hollë, si zeri i komandant Simonit nga Krutja( një oficer i vogël që me revole në brez e me çizme dimri peshonte sa një balerinë gjatë shfaqjes).
Mësuesja, që bashkë me komandant Simonin do të ishin duet i përsosur, vazhdoi:
Tani , ec me ngadalë, para gjithe klasës! Ju të tjerët , ju drejtua kusurit të nxënësve, do t’a pështyni hajduten në fytyrë!
Dielli u nxi e u ngrys. Nga tregimet e Migjenit si «Luli i vocërr» apo «Zeneli», që ja kish lexuar motra e madhe, ai kish mësuar e besuar se mësuesit kishin vetëm dashuri për nxënësit.
Edhe mësuesja e klasës deri në atë moment e tillë i ish dukur.
Fëmijët,që në pë përgjithësi janë të pastër në shpirt e të pafajshëm, mund të shndërrohen në mostra ferri kur manipulohen ose keqedukohen nga prindër të dështuar e edukatorë pa edukatë. Si mund të shpjegohet ndryshe që vajzat e pallatit të Diellit, më e madhja 12 vjeç, duke luajtur me litarë këndonin një këngë të improvizuar: Teme Sejko ësht’ tradhëtar, duhet varur në litar, po me atë entuzazëm që ju kendonin udhëheqsve të partisë. Si mund të shpjegohet, që të rinjtë e shkollave të mesme të Tiranës solidarizoheshin me vendimin e partisë për të dënuar me vdekje«armiqtë e popullit».
Pa hezituar nisi Parada e Pështymës. Dy vajzat e rreshtit të parë, të grindura me «hajduten» në pushimin e madh, lëshuan pa hezitim një breshëri pështyme.
Në rreshtin e dytë ndodhej Dielli. «Fajtorja»,në fytyrën e së cilës rridhnin lotë të pastër, përzjerë me pështymën e urryer, priste e mpirë denimin edukativ.
Por Dielli nuk bënte asnjë lëvizje. Ai sa vinte e zbehej, duke errësuar kështu fytyrën e mësueses, që dyshoi se Dielli kish vendosur të mos i bindej urdhërit. Ajo filloi të dridhej nga zëmërimi. Pse nuk e dënon fajtoren Diell? Ju drejtua ajo Diellit të zverrdhur nga protuberancat emocionale.
Nuk dua, tha Dielli i rrëqethur nga neveria. Mamaja ime thotë se ata që pështyjnë të tjerët janë kafshë.
Kush kujton se je ti Diell? Ulëriu mësuese Venusi.
Dalëngadalë fytyra e mësueses u zbut dhe gëzimit ndëshkues të saj ja zuri vendin një përhumbje përzier me pasiguri e dyshim.
Si mendon ti Diell i dashur ka bërë mirë ajo që ka përvetësuar( nuk e përdori atërdori atë fjalën e tmerrshme «vjedhur») mallin e tjetrit? Foli mësuesja me ton të zbutur.
Jo , Tha Dielli , nuk ka bërë mirë.
E po atëhere ajo e meriton dënimin apo jo? Nguli këmbë mësuesja.
Atë nuk e di, tha Dielli.
Ulu në vënd fëmijë kokfortë, tha me një zë neutral, pa atë hollimin e tmerrshëm.
Do të flas me ty pas mësimit. vijon me tej.......
Emri im është Joana Berankis dhe jam këtu për të falënderuar DR DAWN për ndihmën e tij në shpëtimin e marrëdhënies sime. I dashuri më la sepse isha i matur dhe e kam luftuar disa herë për shkak të pasigurisë, duke mos e parë kurrë pranë asnjë zonje tjetër. Nuk mund të gjeja një mënyrë më të mirë për ta bërë atë të kthehej tek unë dhe DR DAWN erdhi në shpëtimin tim. Kur e kontaktova, ai më tha gjithçka që duhej të dija se si do të rikthehet dashuria dhe lidhja mes meje dhe burrit tim. Unë u binda dhe ai e bëri punën pa hezitim dhe menjëherë pas 48 orësh më thirri i dashuri. Jam e lumtur dhe plot jetë për shkak të mirësisë së DR DAWN. I bëj thirrje kujtdo që ka probleme të kontaktojë me të tani dhe ai me siguri do t'ju ndihmojë.
AntwortenLöschendawnacuna314@gmail.com
Whatsapp: +2349046229159