Montag, 8. Februar 2016

Koka porosit, kurrizi paguan

Përgjimi është forma më e lartë e përgjërimit tonë për ata njerëz, të cilëve ne ju duam të mirën.
- Kalec Vullneti -

Ditët rrëshqisnin si kokrra rëre përmes gishtave të padukëshme të kohës.
TRUPI sapo kishte dalë nga turni i tretë dhe po ecte kokëulur, duke hequr këmbët zvarrë. Ai ndjehej aq i shtrydhur, aq i shfrytëzuar dhe i dërmuar, sa mezi po priste të mbërrinte në shtëpi dhe të strukej në shtrat. 
Donte të ecte më shpejtë por nuk mundej. TRURI i kishte urdhëruar këmbët të ecnin ngadalë, për të mos rrezikuar rrëzimin e TRUPIT në mes të rrugës.
Pas 20 minutash torturuese, të stërzgjatura pa mbarim nga lodhja, TRUPI arriti dikur në buzë të shtratit. 
Pasi hoqi këpucët dhe xhaketën, ai u shtri me gjithë çorape. Pa i lënë kohë TRURIT të futej në mendime, ai u lëshua në një gjum të rëndë plumb.
TRUPI nuk e honepste dot TRURIN. 
Edhe banorët e tjerë të Republiës së Kokës ishin të padurueshëm.
Ishin pikërisht ata Atje Lart, që vendsnin për gjitçka, duke i kthyer në shërbëtorë banorët e tjerë të federatës «KOKA MBI TRUP». Që nga qafa e trashur e deri poshtë te gishtat me nyje të këmbëve banonin qytetarë të dorës së dytë, shtetas të një province të madhe me autonomi të kufizuar.
Të gjithë banorët e Kokës, ose kokësorët siç i quanin ndryshe, i gënjente mëndja se ishin të veçantë, sepse ishin me shtëpi afër trurit. 
Nuk ka dalë më kot ajo shprehja « O afër detit, o afër mbretit». Kokësorët ishin afër mbretit TRU, kurse truporët kishin afër Detin e Fshikzës Urinore, një Det i Verdhë, ku nuk notonte asnjë lloj peshku.
Veç t'i shikoje kokësorët se si fryheshin, si pozonin dhe si përdridheshin! 
Më e paduruara ishte GOJA. Si zëdhënësja e TRURIT ajo pretendone të ishte e dyta në hierarkinë e federatës KOKA MBI TRUP. Herë duke qeshur, herë duke u ngërdheshur, herë me buzëqeshje dhe herë me përqeshje, ajo luante një rol të madh në imazhin publik të fytyrës. 
Fjalimet e gatëshme që i jepte TRURI, ajo i lexonte pa u menduar duke i lodhur të gjorat KORDA TË ZËRIT vënd e pa vënd. SYRI ishte akoma më mëndjemadh se GOJA, por nuk dilte hapur, sepse i ruhej gjuhës së gjatë dhe thashethemeve të saj.
Duke qenë informanti kryesor i TRURIT,  SYRIT i dukej sikur të  gjitë vareshin prej tij. Në një farë mënyre ai kishte të drejtë. Mjaftonte një turbullim i tij, një mungesë përqëndrimi, pak pluhur, një iluzion optik, (një ëndërr me sy hapur siç i quan populli), për të zhytur në kaos, anarshi dhe pasiguri të gjithë federatën KOKA MBI TRUP.
Veshi nga ana e tij e dinte veten edhe më të mirë se SYRI. 
Unë "shoh" ato që nuk i sheh SYRI!- mendonte veshi. Unë "shoh" erën, zhurmat, meloditë, këngët, ulërimat, mallkimet, urimet, oshëtimat, jehonat, ofshamat, rrënkimet, thashethemet, premtimet, fjalimet, brohoritjet, pëshpërimat dhe ankimet. SYRI sheh vetëm objektet, kurse unë "shoh" shpirtin e botës, i cili u lind bashkë me ulërimat e Shpërthimt të Madh (Big Bang).
Edhe HUNDA nuk ishte pa pretendime. Ajo futej kudo dhe shpesh dilte e zhgënjyer sepse shpesh në vënd të aromës së luleve, vajzave, parfumeve, erës së gjellëve, shampos e verërave, ajo befasohej nga erëra të këqia.
Arjan A Bejko

Samstag, 28. Februar 2015


♥25 vjet me pas 1990-2015♥

Kush ka krijuar një profil të thjeshtë në Facebook dhe e ka ndjerë veten të huaj aty, si një xhamajkan në New York, ndoshta nuk i ka qëlluar akoma të shohë qoftë edhe një punë të vetme të piktorëve AVNI DELVINA dhe NIKO DHALES.
Këto ditë, «të huajt» në Facebook kanë rastin e mirë të ndjekin deri më 1 Mars 2015, ekspozitën e tyre në Muzeun kombëtar në Tiranë.
manifesti i ekspozitës

«Torkuato Taso» von Goethe

Pjesë nga «Torkuato Taso» një pjesë teatrale e Gëtes
Nga njerëzit trembet, veç ai që nuk i njeh
Dhe kush u shmanget, gabim për ta gjykon.
Kjo është rënia e tij, dhe kështu pak nga pak
Një mëndje e lirë, hutohet dhe prangoset.
Përktheu Arjan A. Bejko
Die Menschen fürchtet nur, wer sie nicht kennt
Und wer sie meidet, wird sie bald verkennen.
Das ist sein Fall, und so wird nach und nach
Ein frei Gemüt verworren und gefesselt.
Johann Wolfgang von Goethe «Torquato Tasso»

Freitag, 27. Februar 2015

«Shënjtorët»

Winston Churchill, pasi u plak, natyrisht që nuk e kishte më atë energjinë e mëparshme. Kjo dukej edhe në bisedat, të cilat ai i zhvillonte më të ngadalëshme se dikur.
Ata që nuk e kishin dashur kurrë, por nuk i dilnin përballë, gjetën rastin të merrnin hak, duke folur pas shpine.
Njëherë ai rastisi t'i dëgjonte disa nga këta «miq» tek flisnin, si plakat e lagjeve nëpër rrugica:
- Thonë, se Churchill-i ka rrjedhur fare, do tre orë të nxjerrë një fjalë i shkreti.
Duke qeshur, ai u drejohet atyre që medemek nuk kishin rrjedhur vetë, por qanin hallin e tij:
- Thonë se, edhe nuk dëgjon mirë nga veshët, dhe se nuk i dallon dot hipokritët, por i duken si shënjtorë.

Një zotni i heq puplat gjeldetit

Një zonje të shoqërisë së lartë angleze i qëlloi të darkonte me kryeministrin liberal britanik të asaj kohe William Gladstone dhe një javë më pas me kundërshtarin e tij politik konservator Benjamin Disraeli-n(me origjinë hebraike), i cili kish qenë paraardhësi tij dhe më vonë u bë edhe pasardhësi i tij.
Ç'mendim keni për këta dy burra shteti?- e pyeti një gazetar.
Kur fola me Gladstone, m'u duk se po flisja me njeriun më të mënçur të mbretërisë britanike, ndërsa kur fola me Disraeli-n, m'u duk vetja gruaja më e mënçur e mbretërisë.
Biseda me Disraeli-n më bëri vërtet të mënçur se mësova t'i ndaj meshkujt në zotni dhe gjeldetë.

Dienstag, 25. Februar 2014

Njerëzit e mësuar me errësirën nuk përkrahin ata që ndezin qirinj, po ata që thyejnë poçat e rrugës!

Arjan A. Bejko copyright © 2014